Procesi i Akreditimit
HISTORIKU I KOLEGJIT UNIVERSITAR BEDËR
Kolegji Universitar “Bedër” (KU “Bedër”) u çel me kërkesë të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë dhe vendimit nr.286, datë 6.4.2011 të Këshillit të Ministrave, me anë të të cilit u miratua dhënia e licencës për ushtrimin e aktivitetit si institucion i arsimit të lartë. Ky institucion i arsimit të lartë funksionon si organizatë jofitimprurëse. KU “Bedër” synon pareshtur rritjen e cilësisë akademike dhe institucionale, e cila ka përcaktuar vizionin e funksionimit. Kapaciteti studentor maksimal afatmesëm i parashikuar i kolegjit universitar është 1000 -1300 studentë në të gjitha programet, për nivelet e studimit të ciklit të parë dhe ciklit të dytë (“Bachelor”, “Master”). KU “Bedër” operon mbi baza jofitimprurëse dhe mbështet studentët e suksesshëm, të cilët duan të vazhdojnë studimet e larta pranë tij. Gjatë 10 viteve të aktivitetit të tij, në KU “Bedër” janë pranuar 2380 studentë, pjesa më e madhe e të cilëve kanë përfituar zbritje nga tarifat e studimit. KU “Bedër” që nga fillimi i aktivitetit akademik ka organizuar konferenca kombëtare dhe ndërkombëtare, simpoziume, seminare të hapura, veprimtari kualifikuese e nxitëse, duke dhënë kontribut në shkencë dhe shoqëri.
Për përmbushjen e misionit të tij, KU “Bedër” në vitin akademik 2019 – 2020 përfundoi me sukses procesin e riorganizimit të njësive kryesore.
Programet e studimit në të dyja ciklet organizohen në përputhje të plotë me kriteret e përcaktuara nga Karta e Bolonjës dhe legjislacioni shqiptar për arsimin e lartë dhe në përshtatje të plotë me të gjithë komponentët e strategjisë për zhvillimin e institucionit. Programet e ofruara janë si më poshtë:
Programe profesionale dy-vjeçare:
• Multimedia dhe dizajn grafik;
• Programim në web.
Bachelor në:
• Drejtësi;
• Shkenca komunikimi;
• Marrëdhënie publike dhe komunikim marketingu;
• Teknologji informacioni dhe komunikimi;
• Shkenca kompjuterike;
• Shkenca islame;
• Gjuhë dhe letërsi angleze;
• Arsim parashkollor dhe fillor;
• Psikologji këshillimi dhe pedagogji.
“Master i shkencave” në:
• Drejtësi. Profilet: e drejtë penale dhe e drejtë ndërkombëtare;
• Shkenca komunikimi. Profilet: marrëdhënie me publikun dhe gazetari;
• Shkenca moderne islame;
• Shkenca themelore islame;
• Psikologji këshillimi dhe pedagogji;
• Gjuhë dhe letërsi angleze.
“Master profesional” në:
• Mësuesi, gjuhë angleze për arsimin e mesëm.
• Komunikim marketingu
Programet e integruara:
• Program i integruar i nivelit të dytë “Master i shkencave” në Drejtësi.
PROCESI I VETËVLERËSIMIT 2021
Në mbështetje të nenit 103 dhe të nenit 104 të ligjit nr.80/2015 “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”, statutit të KU “Bedër”, si dhe urdhrit të Ministrit të Arsimit dhe Shkencës “Për miratimin e standardeve shtetërore të cilësisë për vlerësimin dhe akreditimin institucional të institucioneve të arsimit të lartë”, nën përgjegjësinë e titullarit të institucionit, rektorit Prof. Dr. Ferdinand Gjana, u ngrit Grupi i Vlerësimit të Brendshëm (GVB) institucional.
Në përzgjedhjen e anëtarëve të GVB janë marrë parasysh kompetencat profesionale, paanshmëria, mundësitë në grumbullimin e informacionit për të kryer vlerësimin dhe shkallën e nevojshme të njohjes të anëtarëve të grupit.
Grupi është ngritur qëllimisht për misionin e vlerësimit të brendshëm (grup ad-hoc). GVB-ja përfaqëson të dyja njësitë kryesore të kolegjit, përfshirë edhe përfaqësuesen e studentëve, ngritur duke marrë parasysh edhe shpërndarjen e detyrave të secilit anëtar.
Ky proces rivlerësimi i jashtëm institucional vjen pas përvojave të akreditimit në vitet 2013 dhe 2017, të cilat institucioni ynë i kaloi me sukses, çka do të thotë që institucioni ka qenë gjithmonë i angazhuar për sigurimin e brendshëm të cilësisë në të gjitha strukturat e tij. KU “Bedër” ka ngritur që në fillimet e tij edhe Njësinë e Sigurimit të Brendshëm të Cilësisë (NJSBC), si njësi e përhershme për të kontrolluar dhe për të garantuar përmbushjen e standardeve në këtë drejtim.
Duke filluar nga viti 2012, çdo njësi bazë dhe kryesore e KU “Bedër”, dorëzon në Rektorat çdo fundviti akademik, raportin vjetor, i cili është në vetvete një model i vlerësimit të brendshëm të njësive. Raporti i vetëvlerësimit u diskutua në çdo njësi, nga ku dolën mendime dhe sugjerime të cilat plotësuan hartimin e raportit përfundimtar.
GRUPI I VETËVLERËSIMIT:
1 | Dr. Arti Omeri | Kryetar |
2 | Dr. Valmora Gogo | Anëtare |
3 | Dr. Irena Shehu | Anëtare |
4 | Dr. Gentjan Skara | Anëtar |
5 | Dr. Genti Kruja | Anëtar |
6 | Msc. Edlir Spaho | Anëtar |
7 | Era Tafa | Anëtare (Studente) |