-
Senati Akademik është organ kolegjial vendimmarrës i Kolegjit Universitar “Bedër”, që përcakton politikat e zhvillimit të institucionit, programon, bashkërendon, drejton dhe kontrollon veprimtaritë e mësimdhënies e të kërkimit shkencor dhe vlerëson efikasitetin e tyre. Senati Akademik kryesohet nga rektori dhe mblidhet periodikisht, sipas përcaktimeve në rregulloren e organizimit dhe funksionimit të senatit.
-
Funksionet kryesore të Senatit Akademik janë:
-
garanton autonominë e institucionit, lirinë akademike, si dhe të drejtat e studentëve;
-
i propozon Bordit të Administrimit Planin Strategjik të Zhvillimit të Institucionit dhe miraton programin vjetor të veprimtarive të tij;
-
miraton Statutin e institucionit, pasi të jetë marrë miratimi paraprak i Bordit të Administrimit. Statuti i miratuar dërgohet në ministrinë përgjegjëse për arsimin për miratim përfundimtar nga ministri;
-
zgjedh rektorin e Kolegjit;
-
miraton strukturën akademike të institucionit, sipas kërkesave të ligjit, pasi të jetë marrë miratimi paraprak i Bordit të Administrimit;
-
miraton rregulloren e institucionit, rregulloret e njësive përbërëse të tij, rregulloret e programeve të studimit, rregulloret dhe aktet e tjera që janë kompetencë e Senatit;
-
miraton programet e reja të studimit, të kërkimit shkencor, ndryshimet në këto programe, si edhe mbylljen e tyre; programet e reja miratohen pasi të jenë të mbështetura në projektbuxhetin vjetor të institucionit;
-
propozon mbylljen dhe riorganizimin e institucionit, si dhe bashkimin me një institucion tjetër të arsimit të lartë, pasi është marrë mendimi i Bordit të Administrimit;
-
miraton hapjen, riorganizimin ose mbylljen e njësive kryesore ose bazë, mbi bazën e propozimeve të njësive kryesore dhe të njësive bazë, duke marrë vlerësimin paraprak të Bordit të Administrimit;
-
emëron kryetarin e Këshillit të Etikës dhe anëtarët.
-
miraton ndryshimin e emrit ose stemës së institucionit, sipas përcaktimeve të akteve ligjore dhe nënligjore në fuqi;
-
miraton planin vjetor të veprimtarive akademike dhe atyre kërkimore-shkencore;
-
miraton raportin e detajuar vjetor të veprimtarisë së institucionit, të hartuar nga Rektorati, dhe ia përcjell ministrisë përgjegjëse për arsimin;
-
vlerëson dhe garanton sigurimin e brendshëm të cilësisë në institucion; anëtarët e kësaj njësie miratohen nga Senati, me propozimin e rektorit;
-
në fund të çdo viti akademik organizon një mbledhje të përbashkët të Senatit Akademik me Bordin e Administrimit, ku diskutohet për veprimtarinë e mësimdhënies, kërkimit shkencor dhe atë financiare e administrative të institucionit.