Blendi Fevziu zgjidhet “Gazetari i Vitit 2011”, nga studentët e Universitetit Hëna e Plotë- BEDËR.
Në sesionin e hapjes së konferencës, gazetarit dhe analistit të njohur, Blendi Fevziu iu dorëzua çmimi “Gazetari i Vitit”, me motivacionin si gazetari më i suksesshëm i vitit 2011. Çmimi iu dha pas një anketimi të organizuar nga studentët e Departamentit të Shkencave të Komunikimit me studentët në rang universiteti, ku Fevziu rezultoi gazetari më i votuar. Ndërsa falenderoi studentët për çmimin e akorduar, Fevziu tha se ndryshe nga vlerësimet e tjera që i janë bërë karrierës së tij si gazetar, ky çmim ka një tjetër vlerë, për faktin se jepet nga studentët. Ai tha se studentët e sotëm janë në një nivel për t’u admiruar. -“Më lejoni t’ju falënderoj për këtë vlerësim, pasi çmimi merr më shumë vlerë kur vjen nga studentët. Dua ta ndaj me ju një konstatim që kam nxjerrë nga vizitat e mia në këto 3 muajt e fundit, qoftë për promovimin e librit, por edhe raste të tjera. Kam ngelur i impresionuar nga niveli i lartë i studentëve”,- u shpreh ai.
Duke përfituar nga rasti, ai u ndal dhe te çështja e konferencës. Fevziu tha që prej fillimit të viteve ’90 media shqiptare ka përparuar shumë. Sipas tij, kushtet në të cilat punohej në fillimet e gazetarisë së lirë shqiptare ishin shumë të këqija, ndërsa në ditët e sotme cilësia dhe standardet janë rritur ndjeshëm. Duke bërë një krahasim mes brezave të gazetarisë, ai tha se në fillim të medias së lirë, gjithçka kishte nisur nga e para, pa një model ndërkohë që tashmë s’mund të bëhen krahasime.