Zhvillohet Konferencën e VIII-të Studentore “Mundësitë dhe sfidat e komunikimit në epokën e digjitalizimit”
Departamenti i Shkencave të Komunikimit në Kolegjin Universitar Bedër zhvilloi sot Konferencën e VIII-të Studentore në Shkenca Komunikimi me temë “Mundësitë dhe sfidat e komunikimit në epokën e digjitalizimit”.
Hapja u bë nga kryetari i Konferencës, përgjegjësi i Departamentit të Shkencave të Komunikimit, Dr. Erlis Çela, i cili nxiti përfshirjen e vazhdueshme të studentëve në kërkimin shkencor. Konferencën e përshëndeti edhe dekani i fakultetit të Shkencave Humane dhe Drejtësisë, Prof. Asoc. Dr. Rahim Ombashi, i cili përgëzoi studentët për punimet e tyre.
Pjesë e ceremonisë hapëse ishte gazetari dhe eksperti i komunikimit, z. Lutfi Dervishi, i cili analizoi aspektet pozitive dhe negative të inteligjencës artificiale dhe ndikimin e saj në fushën e komunikimit.
Pjesë e panelit ishte edhe drejtori i Qendrës Shqiptare për Gazetari Cilësore, z. Roden Hoxha, i cili u ndal gjerësisht te rëndësia e përfshirjes së studentëve në krijimin e përmbajtjeve cilësore.
Gjithashtu, i ftuar në ceremoninë e hapjes ishte drejtori i Citizens Channel, Lorin Kadiu. Ai u shpjegoi studentëve sesi mund të ndërthurin njohuritë teorike me qasjet praktike në tregun mediatik duke e ilustruar me shembullin e themelit të Citizens Channel.
Studentët e nivelit bachelor dhe master prezantuan punimet e tyre me fokus median, komunikimin, marrëdhëniet me publikun dhe marketingun në epokën e digjitalizimit. Gjatë prezantimeve ata sollën raste studimi kombëtare dhe ndërkombëtare, të cilat nxitën diskutime në panel.
Në fund të sesioneve studentët u pajisën me certifikata, ku juria vlerësoi me çmim tre punimet më të mira, të cilat edhe u shpërblyen me një shumë simbolike.
Kolegji Universitar Bedër ka në fokus të vazhdueshëm angazhimin e studentëve në kërkimin shkencor ku këtë e dëshmon më së miri organizimi i ditës së sotme.
Ju urojmë studentëve suksese të mëtjeshme në karrierën e tyre profesionale!
Zhvillohet Konferenca me titull “Zhvillimi i një shkalle për matjen e nivelit të EMI (Edukimi mbi Median dhe Informacionin) dhe testimi tek studentë të grupmoshës 18-24 vjeç”
Ditën e sotme u zhvillua Konferenca me titull “Zhvillimi i një shkalle për matjen e nivelit të EMI (Edukimi mbi Median dhe Informacionin) dhe testimi tek studentë të grup moshës 18-24 vjeç”. Ky ishte edhe aktiviteti përmbyllës i projektit me të njëjtin emër. Gjatë konferencës u prezantuan gjetjet e projektit të ndara në dy pjesë që përkojnë me dy objektivat kryesore të projektit.
Pjesa e parë e projektit lidhet me ndërtimin e një shkalle për matjen e nivelit të EMI ( Edukimi mbi Median dhe Informacionin), duke parë dhe analizuar modele të ndryshme teorike dhe metodologjike të mëparshme, si dhe ato të aplikuara në këtë projekt si dhe në këtë disiplinë të Edukimit mbi Median. Ndërsa pjesa e dytë e projektit ka të bëjë me testimin e kësaj shkalle matëse te studentët në universitete shqiptare. Edukimi mbi median dhe Informacioni u mat në 11 dimensione të tilla si përdorimi; të menduarit; verifikimi; analiza; krijimi; shpenzimi; lidhja; informimi; mbrojtja; zgjedhja; pjesëmarrja.
Sipas gjetjeve të projektit, niveli i edukimit mbi median dhe informacionin, i matur përmes një shkalle nga 1-5, varion nga dimesioni i mbrojtjes që është niveli më i ulët me 3.22, deri te dimensioni i analizës, i cili rezulton në nivelin më të lartë, 3.94.
Në testimin e shkallës morën pjesë mbi 270 studentë nga Kolegji Universitar “Bedër”, Universiteti i Tiranës dhe Universiteti “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan.
I gjithë aktiviteti u konceptua në formën e një konferencë-workshop, ku pas prezantimit të rezultateve, pati pyetje dhe u zhvilluan diskutime. Përgjatë diskutimeve u theksua nevoja e sotme për EMI-n dhe sidomos nevoja për t’u matur, jo vetëm te studentët por edhe në nivele të tjera shoqërore, si dhe risitë që sjell projekti në vendin tonë.
Studimi u realizua nga anëtarë të Departamentit të Shkencave të Komunikimit në Kolegjin Universitar “Bedër” Dr. Erlis Çela, MSc. Alban Tufa dhe MSc. Melsena Danglli.
Ky projekt është mbështetur financiarisht nga Zyra e Marrëdhënieve me Publikun e Ambasadës së SHBA-së në Tiranë, në kuadër të Projektit “Zhvillimi i Edukimit për Median dhe Informacionin në Universitetet Shqiptare”.
Kolegji Universitar Bedër zhvillon Konferencën e Tretë Ndërkombëtare mbi studimet në Media dhe Komunikim
Kolegjin Universitar Bedër zhvilloi Konferencën e Tretë Ndërkombëtare mbi studimet në Media dhe Komunikim Departamenti i Shkencave të Komunikimit në Kolegjin Universitar Bedër organizoi Konferencën e Tretë Ndërkombëtare mbi studimet në Media dhe Komunikim (ICCMS) me temë: “Komunikimi dhe zhvillimet e medias në epokën e dezinformimit dhe sfidave globale”. Kjo konferencë u organizua në bashkëpunim me Universitetin e Tiranës, Universitetin e Prishtinës dhe Institutin Shqiptar të Medias dhe bëri bashkë 50 pjesëmarrës, akademikë dhe studiues, përfaqësues nga 20 universitete dhe nga 40 shtete të ndryshme. Fjalën e parë përshëndetëse e mbajti Dr. Erlis Çela, përgjegjësi i Departamentit të Shkencave të Komunikimit në KU Bedër dhe njëkohësisht Kryetari i Konferencës. Dr. Çela shprehu mirënjohjen e tij për të gjithë pjesëmarrësit në konferencë me qëllimin kryesor për të ndarë përvojat e tyre dhe rezultatet e kërkimit rreth çështjeve që lidhen me dezinformimin dhe ndikimin e sfidave globale. “Kjo konferencë është kthyer në një takim tërheqës akademikësh dhe studiuesish. Lajmet e rreme, teoritë e konspiracionit, propaganda dhe gjithë çrregullimi i informacionit janë tani sfidat kryesore jo vetëm për audiencën dhe përdoruesit e mediave sociale, por edhe për gazetarët profesionistë dhe ekspertët e komunikimit në mbarë botën”. Më tej rektori i Kolegjit Universitar Bedër, Prof. Dr. Gjergj Sinani përshëndeti të pranishmit dhe i uroi suksese tē gjithë studiuesve dhe akademikëve. “Politikanëve u interesojnë ndjenjat e njerëzve dhe jo mendimet e tyre. Kushdo që kontrollon emocionet, është në të njëjtën kohë ai që manipulon më së miri mendimet e turmës. Njerëzit kanë vetëm dy mënyra për të shprehur mendimet e tyre: të folurin dhe të drejtat. Sa më naivë të jenë, aq më e mundur është që të komandohen”. Zv.rektori i Universiteti të Tiranës, Prof. Asoc. Dr. Bernard Dosti gjithashtu shprehu nderimin e pjesëmarrjes në këtë konferencë me rëndēsi ndërkombëtare. Të ftuar si folës kryesorë të kësaj konference ishin Prof. Thomas A. BAUER, Profesor Emeritus në Departamentin e Komunikimit në Universitetin e Vjenës, Austri dhe Prof. Lindita Camaj, Profesoreshë e Asociuar dhe Drejtoreshë e Studimeve Pasuniversitare në Shkollën e Komunikimit “Jack J. Valenti”, Universiteti i Houston në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Profesor Bauer foli mbi konceptin e socializimit si diçka që ka kuptimin e të qenit të bashkuar. Kriza të tilla si ndryshimi klimaterik, demokracia, lufta, pandemia, edhe pse në pamjë të parë mund të duken sikur nuk kanë asgjë të përbashkët, në fakt të gjitha lidhen me njëra tjetrën nëpërmjet vëzhgimit. “Komunikimi është “shembja” e realitetit. Ne nuk i përshkruajmë gjërat ashtu siç ato janë në të vërtetë; ne i përshkruajmë ato, ashtu siç ne i vëzhgojmë dhe perceptojmë. Teoritë përdorin modele logjike të vëzhgimit në mënyrë që të pasqyrojnë vlefshmërinë dhe besueshmërinë e vëzhgimit intuitive”. Ndërsa Prof. Camaj foli mbi logjikën e audiencës si një kurë e “Krizës së Besueshmërisë” në Gazetari. “E gjithë çështja nuk është thjesht të raportojmë dhe pasqyrojmë lajme tek audienca; duhet gjithashtu t’u gjejmë zgjidhje atyre. Në të njëjtën kohë, gazetaria luan një rol të rëndësishëm në procesin e zhvillimit të besimit, jo vetëm për veten, por edhe për institucionet e tjera shoqërore. Sfida e vetme më e madhe me të cilën përballet gazetaria sot është mungesa e besimit të publikut në të. Kjo nuk është një sfidë e re, por është e vazhdueshme dhe ka ardhur duke u përkeqësuar”. Konferenca vijoi me sesionet paralele on-site dhe online të ndara në disa seksione, ku pjesëmarrësit prezantuan punimet e tyre, duke angazhuar plotësisht audiencën dhe studentët në pyetje-përgjigje dhe komente. Në mbyllje të konferencës, studiuesit dhe akademikët e pranishëm dhanë përshtypjet e tyre mbi tematikat e trajtuara në konferencë, duke vlerësuar punën kërkimore të gjithësecilit.
Zhvillohet Konferenca VII Ndërkombëtare në Shkenca Humane dhe Drejtësi (ICHL)
Fakulteti i Shkencave Humane dhe Drejtësisë në Kolegjin Universitar Bedër zhvilloi sot Konferencën e 7-të Ndërkombëtare me temë: "Perspectives on COVID-19: Challenges, Solutions and Opportunities". Konferenca u zhvillua online për shkak të kufizimeve si pasojë e pandemisë. Moderatorja e konferencës, PhD. Ana Uka, përgjegjëse e Departamentit të Edukimit dhe Gjuhës Angleze, çeli punimet e konferencës duke përshëndetur pjesëmarrësit e saj nga vendi dhe bota.
Në fjalën e tij të mirë se ardhjes, Kryesuesi i konferencës Prof. Asoc. Dr. Rahim Ombashi, falënderoi pjesëmarrësit e Sesionit Plenar për kontributin e shquar që ata po jepnin në interes të gjetjes së rrugëve, të cilat do ta shpien më përpara punën e arsimtarëve pa kufij tashmë që thellësisht ky mision hodhi dhe hapin e fundit drejt globalizimit të edukimit. “Edhe kur sulmi pandemik mori jetë njerëzish, shoqëria njerëzore diti të qëndronte në llogoren e betejës humane, duke shpresuar fuqishëm se do ta fitonte betejën”, theksoi Prof. Asoc. Dr. Rahim Ombashi.
Profesor Ferdinand Gjana, Rektor i Kolegjit Universitar Bedër, shprehu kënaqësinë që konferenca do të hedhë hapin e duhur në mbështetje të vizionit që ka planifikuar institucioni, që ai drejton prej themelimit të tij. Tema e gjetur, theksoi ai, ftoi dhe nxiti, mbështeti dhe garantoi se arsimi do të dilte nga kjo gjendje, sepse po mbështetej fuqimisht nga gjetjet shkencore origjinale, nga bashkëpunimi i frytshëm global.
Me interes të veçantë u ndoq fjala përshëndetëse e profesor Mohamed Albailit, ish-Rektor i Universitetit të Emirateve të Bashkuara Arabe dhe President i Organizatës Ndërkombëtare “Educators ëithout Borders”, me qendër në Gjenevë. Ai sqaroi në kumtin e tij joshës se organizata që ai drejtonte, ishte akredituar me vlerësime të larta nga institucione ndërkombëtare, prandaj ai ftonte që bashkëpunimit të organizatës me KUB t’i shtoheshin dhe institucione të tjera të vendit dhe rajonit. Globalizimi, sipas tij, kërkonte të bëhej kujdes për moshumbjen e integritetit akademik, të cilin e shihte si gur themeli në ndërtesën që ngrihej për interes të së ardhmes.
Fjala e profesor Albailit emocionoi rektorin e Universitetit Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë”, në Tiranë, Profesor Bruno Giardina, i cili jo vetëm miratoi vizionin anti-COVID-19 të kolegut nga Emiratet e Bashkuara Arabe, shkoi më larg, kur propozoi që përvoja globale e fituar në luftën kundër pandemisë botërore, të hiqte kufijtë jo vetëm në edukim, por edhe në marrëdhëniet kulturore dhe komunikimin social global.
Konferencën e përshëndetën dy zëvendësrektorët e universiteteve të Durrësit dhe Elbasanit, respektivisht Prof. Asoc. Dr. Sokol Pacukaj dhe Prof. Asoc. Dr. Elvira Fetahu, të cilët përfaqësonin institucionet e tyre dhe personalisht rektorët gjegjës.
Pas një pushimi të shkurtër, konferenca vijoi punimet e ndara në 5 seksione, gjithsecili prej tyre i organizuar në dy sesione shkencore. Gjithsej morën pjesë me kumtesa 47 kërkues shkencorë dhe 67 pjesëmarrës.
Organizohet “Bedër Alumni Awards 2020”
Kolegji Universitar Bedër organizoi për të katërtin vit radhazi ceremoninë e ndarjes së çmimeve për të diplomuarit. Edhe pse e aktiviteti u zhvillua në mënyre të kombinuar me platformën Zoom, morën pjesë të diplomuar, stafi akademik dhe administrativ që ka dhënë kontributin ndër vite për universitetin, si dhe figura te shquara nga fusha e artit, medias dhe edukimit.
Ceremoninë e hapi Dekani i Studentëve Z. Surja Shehi, i cili, pasi falënderoi pjesëmarrësit theksoi rolin dhe rëndësinë që ka Dekanati në jetën sociale të studentëve dhe në lidhjen mes tyre dhe institucionit. “Në fokusin e Kolegjit Universitar Bedër, ka qenë, është, dhe do të jetë, studenti, zhvillimi dhe rritja e tij si akademike ashtu edhe profesionale”, tha ndër të tjera z. Shehi.
Më pas fjalën e mori Rektori i Kolegjit Universitar Bedër, Prof. Dr. Ferdinand Gjana, i cili tregoi për lidhjen e institucionit me të diplomuarit. Ndër të tjera, ai tha se ky aktivitet është një forme motivimi, sidomos në kohën ku po jetojmë, që mbështet të diplomuarit dhe suksesin e tyre. Gjithashtu, Prof. Gjana cilësoi mbështetjen që të diplomuarit i japin njëri-tjetrit, duke qenë shembull i suksesit në emër të arritjeve të përbashkëta.
Më tej fjalën e mori përgjegjësi i Zyrës së të Diplomuarve, Z. Alban Tufa. Ai tha se kjo zyrë, nën shembullin e universiteteve perëndimore, synon të forcojë marrëdhëniet mes universitetit dhe të diplomuarve, duke zhvilluar aktivitete dypalëshe. Ai u shpreh se eksperiencat e të diplomuarve në fushën profesionale janë një mbështetje për institucionin dhe jo vetëm.
Në kuadër të vlerësimit të kandidaturave të paraqitura për çimimet “Bedër Alumni 2020”, fituesit ishin:
“Career Award”: Dudi Ilias
“Bedër Award”: Ermal Qori
“Eagle Award”: Valon Gashi
“Woman Empowerment Award”: Xhulja Marashi
“H. Vehbi Dibra Award”: Majto Kamo
“Çmim Mirënjohjeje”: Alush Kola
Të diplomuari përshëndetën me fjalën e tyre dhe ndanë ndjesitë dhe mendimet rreth çmimeve, apo vlerësimeve që ata morën.
Përgjatë mbrëmjes, aktori i mirënjohur Sokol Angjeli, lexoi për të ftuarit poezi të poetit të shquar Vathë Koreshi, të cilat bënin thirrje për të mos e harruar vendin, pragun, tokën amë.
Këto ceremoni iu përkasin praktikave të ndjekura nga universitete të tjera të mirënjohura si një formë rikthimi të ish-studentëve në gjiret e institucioneve të arsimimit, tanimë si kolegë të fushave përkatëse.
Zhvillohet Konferenca VI Ndërkombëtare në Shkenca Humane
Fakulteti i Shkencave Humane në Kolegjin Universitar “Bedër” zhvilloi Konferencën e Gjashtë Ndërkombëtare në Shkenca Humane, me temë: “Studimet gjinore, Ligji, Media dhe Shoqëria”.
Konferenca mblodhi edhe këtë vit së bashku akademikë, studiues, ekspertë e profesionistë të fushave të ndryshme, të cilët ndanë eksperiencat dhe përfundimet e tyre kërkimore. Punimet e konferencës u përqendruan kryesisht mbi rolin e ligjit, medias dhe shoqërisë kundrejt barazisë gjinore.
Në fjalën e hapjes, Dekani i Fakultetit të Shkencave Humane, Prof. Asoc. Dr. Rrahim Ombashi, përshëndeti dhe uroi të ftuarit dhe pjesëmarrësit në konferencë. Më tej, në fjalën e tij, ai theksoi rëndësinë që ka femra në shoqërinë shqiptare, si dhe rolin e saj në historinë dhe traditën tonë.
Ndërsa Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Dr. Robert Gajda, preku çështjet dhe aspektet ligjore në lidhje me gjininë. Ai theksoi rëndësinë e ligjit në këto çështje, duke e parë atë jo vetëm si detyrim, por edhe si kulturë jetese. Më tej ai u shpreh se ligji është i mirë por ka disa probleme në zbatim.
Konferencën e përshëndeti edhe këshilltarja e Avokatit të Popullit, znj. Jorida Rustemi. Ajo theksoi rolin e medias në tërësi dhe të medias sociale në veçanti në edukimin gjinor. Znj. Rustemi tha se media sociale prevalon në formimin apo edukimin e të rinjve dhe këto konferenca kanë rëndësi të madhe në studimet sociale. Më tej, ajo preku çështjet e gjinisë në emërimet e posteve dhe profesioneve.
Ndërsa Prof. Dr. Ayhan Tekines, i ardhur nga Vjena posaçërisht për Konferencën, cilësoi dy koncepte kryesore që lidhen me gjininë: sigurinë dhe diskriminimin. Sipas Prof. Tekines, diskriminimi e ka shmangur vëmendjen e njerëzve nga siguria, duke u shndërruar në cenuesin më të madh të saj. Më tej ai foli për lidhjen mes identitetit, sigurisë dhe diskriminimit.
Nga ana tjetër, Prof. Dr. Gjergj Sinani ligjëroi mbi lirinë e shtypit dhe rolin e tij në demokraci. Më tej ai trajtoi edhe rolin e shtypit në sistemet diktatoriale duke sjellë një përqasje interesante.
Pas sesionit të hapjes ku ishin të pranishëm një sërë personalitetesh të fushës akademike, fushës së medias e më gjerë, konferenca zhvilloi punimet e saj në disa sesione të tjera.
Konferenca e pestë Studentore në Shkenca Komunikimi
Departamenti i Shkencave të Komunikimit në Kolegjin Universitar "Bedër", zhvilloi Konnferencën e Pestë Studentore në Shkenca Komunikimi. Hapja u bë nga Kryetari i Konferecës, Përgjegjësi i Departamentit të Shkencave të Komunikimit në Kolegjin Universitar "Bedër" Dr. Erlis Çela i cili përshëndeti dhe përgëzoi pjesëmarrësit për seriozitetin dhe agazhimin e treguar. Më tej ai shpjegoi se cilat janë sipas studiuesve trendet e reja në gazetari dhe komunikim në përgjithësi si dhe rëndësinë e kërkimit shkencor në këtë fushë.
Ndërsa në fjalën e tij përshendetëse, Dekani i Fakultetit të Shkencave Humane në KUB, Prof. Assoc. Dr. Rahim Ombashi, theksoi rëndësinë që ka profesioni në jetën e njeriut. Ndër të tjera ai e cilësoi profesionin si element kyç në jetën tonë. Pas tij përshëdetën edhe lektoret e Departamentit Dr. Edlira Mali dhe Dr. Ardita Reçi.
Më pas, në katër sesione paralele referuan 33 studentë nga katër univeristete: Kolegji Universitar "Bedër", Universiteti i Tiranës, Universiteti "Aleksandër Moisiu" Durrës dhe Univeristeti i Vlorës. Ata referuan mbi tema të ndryshme nga Gazetaria, Komunikimi Organizativ, Mediat e reja, Marektingu dhe Marrëdhëniet Publike.
Në mbyllje të Konfernecës, referuesit u pajisën me certifikata pjesëmarrjeje.
Në fund komisioni vlerësoi si punimet më të mira temat:
"Fushatat elektorale dhe MP-të; Rasti i Kosovës" të Elion Kollçkaut, student i nivelit master në Universitetin e Tiranës.
"Chatbot – Trendi i ri i komunikimit digjital me audiencën: Perspektiva e përdorimit nga bizneset shqiptare" të Kristi Mukollarit, student i vitit të tretë në Shkenca Komunikimi në Kolegjin Universitar "Bedër".