Projekte të reja, për të vlerësuar kontributin e “ Edukuesve të Brezave”
Megjithëse mësuesit meritojnë falënderim çdo ditë të vitit, sot është një datë e veçantë kur të gjithë ne kujtojmë me mirënjohje " Edukuesit e Brezave". Në shenjë mirënjohje dhe në respekt të gjithë mësuesve që kanë dhënë kontribut të çmuar në edukimin e brezave , Universiteti Hëna e Plotë-BEDËR prezanton projektin për çmimin " Mësuesi i Vitit" dhe projektin për Konkursin " Kujtime që i Japin Jetë Edukimit". Çmimi “ Mësuesi I Vitit” ka për qëllim vlerësimin kontributit të jashtëzakonshëm që ka figura e mësuesit në përgatitjen e individëve dhe brezave të rinj për shoqërinë dhe rolin e tyre në rritjen cilësore të arsimit. Përzgjedhja do të kryhet nëpërmjet një ankete ku nxënës, mësues dhe prindër do të kenë mundësi të propozojnë emrin e mësuesit që ata mendojnë se ka kontribut të rëndësishëm në këtë fushë. Për realizimin e anketës është përgatitur edhe faqja e internetit www.events.beder.edu.al ku secili person që i përket kategorive të lartpërmendura mund të votojë emrin që mendon. Në fund të procesit që do të zgjasë nga 15 marsi deri më 15 prill 2012, Mësuesi që do të votohet më shumë merr çmimin “Mësuesi i Vitit” dhe krahas certifikatës do të dorëzohet edhe shuma 1000 euro. Ndërkohë në këtë ditë të veçantë për mësuesit , Fakulteti i Filologjisë dhe Edukimit pranë Universitetit Hëna e Plotë-BEDËR ka ndërmarrë nismën për organizimin e një konkursi letrar me tematikë “Kujtime që i Japin Jetë Edukimit” , ku mësuesit mund të dërgojnë kujtimet nga jeta e tyre profesionale. Një komision akademik në fushën e gjuhës dhe letërsisë do të vlerësojë shkrimet më të mira duke vendosur për fituesit.