Departamenti i Shkencave të Komunikimit pranë Universitetit “Hëna e Plotë- BEDËR”, në bashkëpunim me Departamentin e Gazetarisë pranë Universitetit të Tiranës, Unionin e Gazetarëve dhe Institutin Shqiptar të Medias, në ditën botërore të lirisë së shtypit organizuan workshopin me temë “Sfidat e medias shqiptare”. Përgjegjësi i Departamentit të Komunikimit në Universitetin “Hëna e Plotë- BEDËR”, z. Ramadan Çipuri, Përgjegjësi i Departamentit të Gazetarisë dhe Komunikimit në Universitetin e Tiranës, Prof. Dr. Artan Fuga, Drejtori i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë, z. Aleksandër Çipa, analisti i njohur, njëkohësisht dhe përfaqësuesi i Institutit Shqiptar të Medias, z. Lutfi Dervishi, pedagogë të dy universiteteve dhe drejtues të njohur të medias diskutuan rreth problematikave dhe sfidave kryesore me të cilat përballet media shqiptare. Çështjet e etikës në media, kushtet e vështira të gazetarëve, si dhe perspektivat e zhvillimeve teknologjike ishin pikat kryesore të cilat u diskutuan.
Z. Ramadan Çipuri në fjalën e tij, duke iu referuar të dhënave të raportit më të fundit të publikuar nga “Freedom House”, tha se pavarësisht problematikave me të cilat haset media në Shqipëri, ka pasur zhvillime pozitive. Sipas tij zhvillimi i vrullshëm i mediave elektronike, rrjeteve sociale, megjithëse shtypi i shkruar nuk është karakterizuar nga një zhvillim i dukshëm, ka bërë që media të ketë një rol gjithnjë e më të rëndësishëm në zhvillimin shoqëror. “Përballë zhvillimit dhe fuqisë që media shqiptare po fiton, ku një arritje e rëndësishme mund të konsiderohet aplikimi i teknologjisë më të fundit në një pjesë të medias, raportet e dy viteve të fundit për lirinë e shtypit janë jo aq pozitive. Theksi bie mbi mungesën e lirisë së veprimit dhe objektivitetit me të cilin gazetarët përballen në ushtrimin e profesionit të tyre ditor. Raportimi i tyre ndikohet nga interesat ekonomikë dhe politikë të pronarëve të tyre”,- u shpreh z. Çipuri.
Analisti Lutfi Dervishi, në referimin e tij, u ndal në çështjet e etikës në median shqiptare, duke vënë theksin në mungesën e kodeve të etikës dhe aplikimit të tyre. Sipas tij, një nga elementet kryesore të problemeve të etikës në median shqiptare është i lidhur drejtpërdrejt me trajtimin financiar të gazetarëve dhe konkurencën e ashpër. Përpjekjet e deritanishme për të përshtatur kodet e etikës nga mediat e mëdha ndërkombëtare, në këndvështrimin e tij, kanë rezultuar jo të suksesshme. “Etika është gjëja e fundit që diskutohet nga drejtuesit e medias. Me gjithë përpjekjet për të kopjuar gazeta, si “New York Times”, kanë rezultuar të jenë një dështim. Ajo që siguron etikë të brendshme është niveli i pagës, konkurenca e ashpër dhe etika e redaksisë. Realiteti nuk është ashtu siç e mendojnë studentët e gazetarisë. Është më i ashpër”,- u shpreh z. Dervishi.
Ndërkohë gjendja në të cilën punonjësit e sektorit të medias dhe, në veçanti e gazetarëve që punojnë në median shqiptare, ishte çështja kryesore e referimit të drejtuesit të Unionit të Gazetarëve, z. Aleksandër Çipa. Ai ndau me të pranishmit shqetësimin e mosorganizimit të gazetarëve në sindikata, të cilat do t’u mundësonin atyre mbrojtjen e të drejtave bazë. Sipas tij, kjo mungesë është dhe si rrjedhojë e një beteje të humbur të të gjithë shoqërisë shqiptare për të ndërtuar një ndërgjegje kombëtare të reagimit dhe të protestimit. “Ne nuk ia kemi arritur të ndërtojmë një ndërgjegje kombëtare të reagimit dhe protestimit. Arsyet mund të jenë të shumta. Ne nuk kemi besuar te vetja dhe te realiteti dhe nuk ia kemi arritur të sensibilizojmë këtë ndërgjegje të reagimit. Jemi vendi që nuk kemi asnjë protestë kombëtare dhe asnjë grevë kombëtare”,- u shpreh ai.
Përgjegjësi i Departamentit të Gazetarisë në Universitetin e Tiranës, Prof. Dr. Artan Fuga trajtoi çështjen e sfidave të gazetarisë në kushtet e transformimit teknologjik. Fuga tha se në situatën në të cilën ndodhet media shqiptare nuk mund të flitet për të dalë nga kriza me konceptet e krizës. Sipas tij, revolucioni teknologjik në media duhet të shoqërohet me një revolucion të mendimit, çka do të thotë të hiqet dorë nga metodat e vjetra. Ndërkohë që sipas tij, problemet që lindin midis medias dhe pushtetit zgjidhen me anë të rezistencës dhe përshtatjes me transformimet teknologjike. “Ka ardhur momenti t’i tregojmë medias që ne po ndodhemi përpara një formule progres ose barbari. Progres ose njohje e një bote të re që sjell transformimi teknologjik ose barbari që do renditemi në një kaos informativ që do ta humbim këtë betejë, një kaos nuk do t’i shërbejë askujt.” Profesor Fuga u ndal gjithashtu edhe në realitetin e ri që ka sjellë media online, duke çuar drejt një tendence për të ulur në maksimum vlerën e informacionit tregun e medias. Sipas tij “kjo situatë çon në diskutimin e termit ‘treg mediatik’, pasi, nëse kostoja e “mallit informacion” bëhet zero, atëherë dilema e gazetarit dhe medias bëhet më e dukshme. Të përshtatet me transformimet teknologjike apo të falemintojë përballe këtij realiteti”. Në workshop diskutuam edhe Drejtori i Gazetës Panorama, z. Andi Tela, drejtuesi i portalit informativ Albeu.com, z. Idaver Sherifi dhe Kryeredaktori i lajmeve në Vizion +, z. Roland Zili dhe të pranishëm të tjerë.