Ambasadori i OSBE-së, Eugen Wollfarth flet para studentëve
01 Tetor 2012
I Ftuar në një panel diskutimi me studentët e Universitetit Hëna e Plotë-BEDËR, ambasadori i Prezencës së OSBE-së në Tiranë, ndau me studentët opinione dhe vëzhgime në lidhje me rolin e medias në nxitjen e reformave demokratike në vend. Ambasadori Wollfarth u prit fillimisht nga rektori i Universitetit Hëna e Plotë-BEDËR, Dr. Ferdinand Gjana i cili e njohu me misionin e universitetit dhe ecurinë e deritanishme. Më pas kreu i Prezencës së OSBE-së iu është drejtuar studentëve të dhe stafit të pranishëm me një fjalim që u fokusua më tepër në problematika si liria e medias, marrëdhënia me politikën, roli që ka në formimin dhe orientimin e opinion publik si dhe përgjegjësinë që ka media si pushtet i katërt. Ambasadori Wollfarth vuri në dukje faktin se pavarësisht që teknologjia moderne ka ecur përpara, mediat janë bërë gjithmonë e më të varura nga burimet financiare në funksionimin e tyre.
Duke u ndalur në realitetin shqiptar, ambasadori Wollfarth theksoi se pronësia e medias dhe marrëdhënia që kanë pronarët me politikën mund të ndikojë në politikën editoriale. “Ne shohim sot në Shqipëri shumë biznese mediatike që zotërohen pjesërisht ose plotësisht nga njerëz të botës së biznesit, të cilët, paralelisht, kanë interesa në sektorë të tjerë. Sidoqoftë, kur njerëzit e biznesit, të cilët janë pronarë apo menaxherë të bizneseve mediatike, kanë marrëdhënie të mira me politikanët, ato marrëdhënie mund të sjellin në mënyrë të pashmangshme kufizime të lirisë editoriale. Në të njëjtën kohë, duhet të ketë një ndërgjegjësim që mediat asnjëherë nuk duhet të zotërohen, drejtohen, apo menaxhohen, në mënyrë direkte dhe as indirekte, nga organet e shtetit ose qeverisë” u shpreh ai para studentëve.
Ndërkohë duke u ndalur në rolin e medias në informimin e publikut por edhe të shoqërisë civile si përfaqësues e grupeve të ndryshme të publikut, Ambasadori Wollfarth nënvizoi faktin se media duhet të sigurojë një platformë për dialog politik të qytetëruar, të edukuar dhe racional midis drejtuesve dhe anëtarëve të partive politike, një platformë që i ndihmon qytetarët të identifikojnë ato politika që duan t'i mbështesin. Ai u Ndal gjithashtu edhe në nevojën për hartimin dhe zbatimin e një legjislacioni efektiv që do tu garantoj gazetarëve lirinë e shprehjes në mënyrë që ata të jenë të lirë nga frika politike dhe nga gjobat ekonomike që të raportojnë lajmet jashtë çdo ndërhyrjeje politike. Pas fjalimit, ambasadori i është përgjigjur interesit të studentëve dhe stafit të Universitetit Hëna e Plotë-BEDËR, të cilët i drejtuan një sërë pyetjesh në lidhje me temën e diskutimit por edhe me aktualitetin politik të vendit. Në përgjigje të pyetjes në lidhje me heqjen nga Kodi Penal i dënimit për shpifjen , kreu i OSBE-së e vlerësoi këtë si një arritje pozitive në aspekt të lirisë së shprehjes. Ndërkohë që në lidhje me interesimin e studentëve për ecurinë e reformës zgjedhore, Ambasadori Wollfarth u bëri thirrje opalëve që të fokusohen në plotësimin e rekomandimeve të OSBE-ODHIR duke u shprehur se në realizimi në kohë i reformës do ta bënte procesin e zgjedhjeve më të besueshëm në sytë e shqiptarëve. Sipas tij thelbi i reformës është garantimi i çdo shqiptari se vota e tij do të numërohet me korrektësi.
Çmimi i mirënjohjes për Ambasadorin e Prezencës së OSBE-së
Në fund të panelit Ambasadorit të Prezencës së OSBE-së në Tiranë, Eugen Wollfarth i është akorduar një çmim mirënjohje “Për kontributin e vazhdueshëm në zhvillimin dhe konsolidimin e demokracisë në Shqipëri”. Rektori i Universitetit Hëna e Plotë-BEDËR Dr. Ferdinand Gjana i dorëzoi çmimin Ambasadorit Wollfarth duke e falënderuar për kontributin që ai personalisht por edhe Prezenca e OSBE-së jep për forcimin e demokracisë në vendin tonë. Nga ana e tij kreu i OSEBE-së shprehu falënderimet për vlerësimin dhe uroi suksese universitetit në përgatitjen e të rinjve të kualifikuar.