AWEN - Aktivitet ndërgjegjësues dhe informues në Bedër
Departamenti i Shkencave të Edukimit në bashkëpunim me Rrjetin e Fuqizimit të Gruas në Shqipëri (AWEN) organizoi Forumin Tematik: “Dhuna në marrëdhëniet intime në adoleshencë në Shqipëri” ku të ftuar ishin përfaqësues të AWEN.
Ky forum u organizua në vazhdën e aktiviteteve ndërgjegjësuese dhe informuese që zhvillohen në kuadër të 8 Marsit – Ditës Ndërkombëtare të Gruas. Trajtimi i kësaj tematike mori shkas nga publikimi i studimit të parë kombëtar me të njëjtën temë, realizuar nga AWEN me mbështetjen e Agjensisë Ndërkombëtare Suedeze për Zhvillim dhe Bashkëpunim – Sida.
Gjatë takimit, Dokt. Ana Uka, një nga studiueset e këtij projekti u shpjegoi studentëve gjetjet kryesore të studimit. Në këtë studim kishin marrë pjesë 1036 të rinj të moshës 16-19 vjeç të shkollave të mesme publike në Shqipëri, të cilët kishin vetë-raportuar të dhëna për jetën e tyre intime.
Diskutimi u zhvillua mbi perceptimin e të rinjve shqiptarë rreth një temë që konsiderohet tabu në Shqipëri.
Në fund të takimit studentët kishin mundësinë të shprehnin mendimet e tyre në lidhje me temën, si dhe të tregonin eksperienca nga jeta e tyre personale.