Bashkëpunim me pushtetin vendor, firmoset marrëveshja me Bashkinë e Elbasanit
24 Tetor 2013
Universiteti “Hëna e Plotë” ( Bedër) dhe Bashkia e Elbasanit zyrtarizuan sot bashkëpunimin e ndërsjellë, me firmosjen e një marrëveshje. Ky dokument synon forcimin dhe zgjerimin e bashkëpunimit të deritanishëm mes dy institucioneve, konkretisht në fushat e shërbimit social, arsimit dhe kulturës.
Nënshkrimi i kësaj marrëveshje u realizua gjatë vizitës që një ekip i Universitetit “Hëna e Plotë” ( Bedër), i kryesuar nga rektori, Dr. Ferdinand Gjana, zhvilluan në bashkinë e qytetit të Elbasanit.
Gjatë pritjes që kreu i bashkisë, z. Qazim Sejdini rezervoi me këtë rast, palët shprehën vlerësimet e tyre rreth këtij bashkëpunimi, duke vënë theksin në përfitimet që do të kenë qytetarët e Elbasanit.
Kryetari i bashkisë, z.Sejdini, pasi falenderoi universitetin për gatishmërinë e treguar, u shpreh se kjo marrëveshje është një shembull pozitiv në bashkëpunimin e pushtetit vendor me botën akademike. Ai vlerësoi dhe faktin që krahas ofrimit të kurseve të anglishtes për fëmijët e familjeve në nevojë, ndër përfitimet e tjera që sjell ky dokument është edhe ofrimi i bursave të studimit në nivelin master për stafin e bashkisë.
Nga ana tjetër, rektori i universitetit, z. Gjana u shpreh se nënshkrimi i kësaj marrëveshje vjen në kuadër të misionit të universitetit për kontributin në shoqëri.
Risitë e këtij bashkëpunimi të parë, mes një institucioni vendor dhe një universiteti ndërkombëtar, konsistojnë në ofrimin e kurseve falas të gjuhës angleze për fëmijët e shtresave në nevojë, si edhe për personat me aftësi të kufizuara, në qendrën e arsimit parauniversitar të bashkisë, Elbasan.