Ceremonia e çmimeve.
01 Tetor 2012
Universiteti Hëna e Plotë- BEDËR ndan çmimet për “Mësuesi i Vitit” 2012. Në një ceremoni të veçantë, të organizuar në ambientet e universitetit, tre mësuesit më të përzgjedhur janë vlerësuar me çmime të veçanta për kontributin e dhënë në vite në mësimdhënie. Përzgjedhja e mësuesve më të mirë të vitit 2012 është realizuar pas një faze dymujore anketimi në faqen e internetit, të ndërtuar posaçërisht për këtë aktivitetit. Nxënës dhe prindër në të gjitha qytetet e vendit, kanë përzgjedhur me votën e tyre emrat më të spikatur të arsimit shqiptar.
Projekti “Mësuesi i Vitit” 2012 është iniciuar nga Fakulteti i Filologjisë dhe Edukimit, me qëllim vlerësimin e rolit të mësuesit në edukimin e të rinjve dhe promovimin e vlerave më pozitive që përfaqësohen nga arsimtarët. Pas fazës së përzgjedhjes, mësuesja e lëndës së historisë në gjimnazin “Ismail Qemali” në kryeqytet, znj. Arjana Merepeza rezultoi më e vlerësuara. Universiteti Hëna e Plotë- BEDËR i akordoi znj. Merepeza, çertifikatën e vlerësimit dhe një shpërblim financiar prej 1 mijë dollarësh. Në treshen e arsimtarëve më të votuar ishin dhe z. Dritan Baduni, mësues në gjimnazin, “Sami Frashëri” në Tiranë, si dhe znj. Enkelejda Hoxha, mësuese në shkollën “18 Tetori”, Lushnjë. Përveç certifikatave të vlerësimit, fituesit e vendit të dytë dhe të tretë janë shpërblyer dhe më një shumë monetare, siç ishte parashikuar në projekt.
Rektori i Universitetit Hëna e Plotë- BEDËR, Dr. Ferdinand Gjana gjatë ceremonisë së ndarjes së çmimeve vuri theksin në kontributin e paçmuar që japin arsimtarët shqiptarë në çdo shkollë të vendit. Sipas tij janë të shumtë arsimtarët që meritojnë një vlerësim të veçantë. “Jemi koshientë se kontributi i arsimtarëve është shumë i madh dhe se sot janë të shumtë ata që meritojnë të nderohen dhe vlerësohen. Por, iniciativa për të organizuar një anketë për përzgjedhjen e “Mësuesit të Vitit 2012”, shpresoj të jetë vetëm fillimi i angazhimit tonë në këtë drejtim. Ne jemi të bindur që në vitet e ardhshme, ky projekt do të konsolidohet dhe do të kthehet në një traditë të bukur, ku çdo vit do të nderojë emrat më të spikatur të arsimit shqiptar” u shpreh Dr. Ferdinand Gjana.
Ndërkaq Drejtori i Arsimit Parashkollor në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, z. Fatmir Vejsiu u shpreh i entuziazmuar në lidhje me projektin për vlerësimin e mësuesve të vitit 2012. Ai tha se projekti i iniciuar nga Universiteti Hëna e Plotë- BEDËR, është një iniciativë e vyer dhe shërben si një shembull pozitiv që duhet të ndiqet dhe nga institucionet e tjera arsimore në vend.
Në ceremoninë e ndarjes së çmimeve ishin të pranishëm përfaqësues të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, Drejtor i Drejtorisë Arsimore të Qarkut Tiranë z. Bilbil Hoxha, Drejtoresha e Arsimit të Tiranës, znj Arjana Bekteshi, të ftuar të tjerë, si dhe një numër i madh maturantësh nga shkollat fituese.