Konferenca e Parë Ndërkombëtare “Dimensionet Shpirtërore në Shkencat Humane”.
01 Tetor 2012
Universiteti Hëna e Plotë-BEDËR organizoi Konferencën e Parë Ndërkombëtare “Dimensionet Shpirtërore në Shkencat Humane”. E para e këtij lloji në Shqipëri, konferenca mblodhi akademikë dhe ekspertë nga 13 vende të ndryshme të botës si SHBA, Angli, Itali, Francë, Kosovë, Maqedoni, Shqipëri, Turqi, Malajzi, Rumani, Austri dhe Nigeri.
Në ceremoninë e hapjes së konferencës ishin të pranishëm personalitete të rëndësishëm të jetës publike në Shqipëri. Ndër të ftuarit speciale që përshëndetën punimet e konferencës ishte edhe znj.Jozefina Topalli, Kryetare e Parlamentit të Shqipërisë, Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Selim Muça, Kryepeshkopi i Kishës Autoqefale Shqiptare Anastas Janullatos dhe Imzot Rrok Mirdita Arqipeshkëv Metropolit Tiranë-Durrës.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Dekani i Fakultetit të Shkencave Humane në Universitetin Hëna e Plotë BEDËR, njëkohësisht edhe kryetari i konferencës, Prof. Dr. Ajhan Tekinesh , pasi falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen në këtë konferencë të parë të këtij lloji, u ndal në rëndësinë e dimensionit shpirtëror në shkencat humane.
Ai theksoi se “Njeriu, ka për ta arritur unitetin në brendësinë e tij vetëm kur të vërë në punë aftësitë shpirtërore dhe të dëgjojë zërin e zemrës e të shpirtit të tij. Është e pamundur të eliminojmë dualizmin e të perceptuarit të botës së jashtme pa arritur unitetin brenda nesh. Sepse njeriu botën e jashtme dhe të tjerët, i vështron nga dritarja e tij e brendshme. Njeriu i zemëruar e sheh çdo gjë të veshur me këtë ndjejë. Po ashtu, edhe njeriu, i cili është kapur fort pas perceptimeve të pesë shqisave dhe që intelektin e ndjesitë e tij të jashtme i ka pranuar si kritere të vetëm të të vërtetës e ka shumë të vështirë të dallojë anën shpirtërore të jetës dhe gjithësisë. Shpresoj që trajtimi i njeriut së bashku me ndjenjat, mendimet, moralin dhe ndërgjegjen, ka për ta shtuar ndikimin e shkencave humane mbi njeriun dhe shoqërinë. Si rezultat ka për të shtuar edhe reputacionin e këtyre shkencave të vyera”.
Ndërkohë gjatë fjalës së tij të mbajtur para të pranishmëve, Rektori i Universitetit Hëna e Plotë BEDËR, Dr. Ferdinand Gjana theksoi rëndësinë që ka çlirimi i jetës shkencore dhe intelektuale nga dogmatizmi modern. Dr. Gjana u ndal gjithashtu edhe në nevojën që ka shoqëria e sotme për të bashkuar anën shpirtërore dhe atë shkencore.
“Kjo konferencë e ideuar dhe e realizuar nga Fakulteti i Shkencave Humane të Universitetit Hëna e Plotë- BEDËR, u iniciues e shpalosjes dhe ballafaqimit të ideve shumë të diskutuara dhe të debatuara, në të shkuarën, të sotmen dhe të ardhmen e shoqërisë sonë. Gjithsecili me atë çka do të sjellë në këtë konferencë do të kontribuojë dhe do të ndikojë në dhënien e disa sugjerimeve për zgjidhjen dhe qartësimin e shumë çështjeve në lidhje me rolin e dimensionit shpirtëror” theksoi ai.
Nga ana tjetër, Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë H. Selim Muça , Kryepeshkopi Anastas Janullatos dhe Imzot Rrok Mirdita, vunë theksin në rëndësinë që ka këndvështrimi shpirtëror në shkencë i cili vjen si vlerë e besimit dhe fesë për shoqëritë e kohëve të sotme. Ata vunë theksin në rolin e komuniteteve fetare dhe ndikimin që kanë në zhvillimin e një shoqërie më të ekuilibruar mes besimit dhe shkencës.
Më pas fjalën e ka marrë , Kryetarja e Parlamentit të Shqipërisë , Znj. Jozefina Topalli e cila përshëndeti pjesëmarrësit në konferencë dhe falenderoi organizatorët për një konferencë kaq të rëndësishme. Ajo nënvizoi rolin që kanë komunitet fetare në jetën shpirtërorë të qytetarëve si dhe u ndal në traditën e bashkëjetesës fetare në Shqipëri si një vlerë të madhe të kombit shqiptar. “ Ne si komb kemi një vlerë shumë të madhe siç është bashkëjetesa dhe toleranca midis komuniteteve fetare. Kjo është një vlerë e jashtëzakonshme dhe për këtë duhet të jemi krenarë. Shqiptarët janë i vetmi komb në Europë që mbrojtën hebrenjtë gjatë luftës së dytë botërore nga gjenocidi nazist dhe kjo tregon shumë për dimensionin shpirtëror të tyre” u shpreh Znj. Topalli.
Konferenca do të përfshijë në diskutim akademikë dhe ekspertë nga fushat e edukimit, antropologjisë, shkencave sociale, drejtësisë, medias dhe komunikimit, sociologjisë, psikologjisë, teologjisë dhe fushave të tjera të lidhura me shkencat humane të cilët do të referojnë në sesionet e datës 12 dhe 13 maj, të cilat do të vijojnë në ambientet e Universitetit Hëna e Plotë BEDËR.