Dr. Sofokli Garo, leksion të hapur me studentët e edukimit
Departamenti i Shkencave të Edukimit në KU Bedër organizoi sot një leksionin të hapur, ku i ftuar në bashkëbisedim me studentët e mësuesisë dhe psikologjisë së këshillimit ishte Dr. Sofokli Garo.
Me një përvojë të pasur profesionale dhe akademike në mësimdhënie në shkencat e edukimit, me fokus mësimdhënien e matematikës në arsimin fillor, Dr. Garo përcolli një qasje krahasimore të praktikave bashkëkohore të mësimdhënies në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Shqipëri.
Përgatitja akademike me një master dhe doktoraturë në mësimdhënie dhe mësimnxënie të matematikës pranë Universitetit te Dakotes së Veriut, përvoja profesionale si mësues me arsimin parauniversitar dhe si lektor në arsimin e lartë në SHBA dhe Shqipëri, mundësuan që përmes një diskutimi me studentët Dr. Garo të përcjellë një studim mbi efikasitetin e metodologjive të mësimdhënies të adoptuara në Shqipëri, si dhe rezultatet e këtyre praktikave në formimin e studentëve dhe më tej mësimdhënësve të ardhshëm.
Mësimdhënia kognitive dhe impakti i saj mbi rezultatet e nxënësve shqiptar në PISA, ishte një tjetër dimension studimor i përcjelle gjatë diskutimit të Dr. Garos.