Drejtues të Universiteti Hëna e Plotë Bedër, vizitojnë Universitetin e Prizrenit
Një delegacion nga Universiteti Hëna e Plotë Bedër, i kryesuar nga rektori Dr. Ferdinand Gjana, zhvilloi një vizitë pune në Universitetin e Prizrenit. Pas konkretizimit të bashkëpunimit mes dy universiteteve nëpërmjet firmosjes së marrëveshjes, kjo vizitë shërbeu edhe për të diskutuar projekte konkrete që do të zbatohen në të ardhmen. Gjatë vizitës, delegacioni i Universitetit Hëna e Plotë Bedër u prit nga rektrori i Universitetit të Prizrenit, Prof. Dr. Mazllum Baraliu dhe drejtues të tjerë të këtij institucioni. Profesor Baraliu i uroi mirëseardhjen Dr. Ferdinand Gjanës dhe u shpreh se bashkëpunimi mes dy universiteteve merr një rëndësi të veçantë në kohën kur marrëdhëniet mes dy vendeve janë mjaft intensive. Gjatë takimit u fol për fushat e bashkëpunimit mes dy universiteteve dhe projektet konkrete. Në kuadër të marrëveshjes së firmosur nga të dyja palët , ato ranë dakord që të fillojnë me programet e shkëmbimit të studentëve dhe stafit akademik. Dr. Gjana i propozoi homologut të tij, nga Prizreni organizimin e një konference të përbashkët në fushën e edukimit, si dhe organizmin e disa “workshop” me tema të ndryshme. Takimi u ndoq edhe nga mediat vendase, të cilat ishin të interesuara në lidhje me marrëdhëniet që po zhvillohen mes universiteteve në Shqipëri dhe Kosovë. Rektori i Universitetit Hëna e Plotë Bedër, gjatë bashkëbisedimit që pati me mediat , shprehu vendosmërinë e tij për të çuar përpara bashkëpunimin në fushën akademike mes institucioneve në Shqipëri dhe Kosovë si një domosdoshmëri për t'i shërbyer sa më mirë edukimit të brezave të ardhshëm.