Çelet ekspozita “Tranzicioni shqiptar në titujt e gazetave”
Në ditën botërore të lirisë së shtypit, më 3 maj, Departamenti i Shkencave të Komunikimit hapi ekspozitën “Tranzicioni shqiptar në titujt e gazetave”. Pas një pune të gjatë studentët arritën të mbledhin dhe seleksionojnë faqet e para të gazetave shqiptare që pasqyronin , ngjarjet më të rëndësishme të tranzicionit nga viti 1991 dhe deri në ditët e sotme. Ekspozita u vizitua nga përfaqësuesit e medias lokale dhe kombëtare si edhe të ftuarit e shumtë .
Sipas përgjegjësit të departamentit, z. Ramadan Çipuri, ekspozita fokusohet tek titujt më kryesorë të gazetave të kohës, të cilët janë përzgjedhur me kujdes nga vetë studentët e këtij departamenti. “Në dy vitet e para departamenti ynë e ka parë me prioritet punën kërkimore të studentëve. Për javë me radhë, një grup prej tyre ka shfletuar gazetat në Arkivin Qendror të Shtetit dhe në Bibliotekën Kombëtare, ku janë përzgjedhur titujt që lidhen me zhvillimet me të rëndësishme”, tha ndër të tjera z.Çipuri në fjalën e hapjes me rastin e celjes së ekspozitës.
Pasqyrimi i ekspozitës fillon që nga rrëzimi i sistemit komunist dhe zgjedhjet e para pluraliste në vend, deri në ngjarje të shënuara, si anëtarësimi i Shqipërisë në strukturën euro-atlantike të NATO-s. Në këto dy dekada tranzicion populli ynë ka kaluar momente të gëzueshme, por edhe shumë vështirësi, siç mund të jenë edhe ngjarjet e vitit 97, të gjitha këto të pasqyruara këtu.
Pjesëmarrës në ceremoninë e hapjes së ekspozitës ishin edhe Ambasadorja e Republikës së Francës në Shqipëri, Znj.Kristinë Moro, si dhe përfaqësues nga media të ndryshme.
Znj. Moro në lidhje me ekspozitën u shpreh se “teksa ajo paraqet një realitet të dy dekadave pas vitit 1991, tani po përballemi me nje tranzicion të ri, i cili ka të bëjë me mbërritjen e teknologjive të reja të informacionit. Sot po përpiqemi të kuptojmë se si këto teknologji po ndikojnë në vetë jetën e shtypit dhe se si mund të sigurohemi në këto kushte të reja se shtypi do të jetë lirë të luaj rolin e tij në sistemet demokratike.”
Ekspozita do të qëndrojë e hapur për një muaj, deri më datë 3 qershor