Fatmir Xhafaj në bashkëbisedim me studentët e Bedër për reformën në drejtësi
Kryetari i Komisionit Parlamentar për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, njëkohësisht kryetar për reformën në drejtësi Fatmir Xhafaj ndau me studentët e Bedër rëndësinë e reformës në këtë fushë.
I ftuar në ceremoninë e hapjes së Konferencës së 3-të studentore në drejtësi të organizuar nga Departamenti i Drejtëisë në bashkëpunim me klubin studentor “Bedër Law Academy”, z. Xhafaj u ndal në ecurinë e deritanishme të punës që ka kryer komisioni i reformës.
Gjatë bashkëbisedimit ekskluziv me studentët, ai bëri prezent shtyllat në të cilat do të mbështetet kjo reformë.
-Ndryshimet kushtetuese
-Reforma e sistemit gjyqësor
-Reforma në prokurori
-Edukimi juridik
-Rregullimi i profesioneve të lira
-Strategjia antikorrupsion
Secila prej këtyre shtyllave do të ketë grupet e ekspertëve përgjegjës për monitorimin dhe mbarëvajtjen e saj. Një grup do të jetë i angazhuar për realizimin e ndryshimeve kushtetuese, një për reformimin e sistemit gjyqësor, një për drejtësinë penale, një për edukimin juridik të qytetarëve, një për funksionimin e duhur të profesioneve të lira brenda sistemit të drejtësisë dhe një grup që do të merret me hartimin e strategjisë kundër korrupsionit.
Z.Xhafaj theksoi se disa nga këmbënguljet dhe insistimet më të mëdha për realizimin me sukses të kësaj reforme vijnë nga radhët e politikës, nga ku po ashtu vijnë edhe disa nga kundërshtitë dhe polemikat më të mprehta. Kryetari i Komisionit të Ligjeve përfundoi fjalën e tij, duke shpjeguar se përmbyllja efektive dhe konkretizimi i frytshëm i kësaj reforme, është një domosdoshmëri për funksionimin e duhur të drejtësisë dhe një kërkesë e pakontestueshme e çdo qytetari të këtij vëndi.
Kreu i komisionit të ligjeve e vlerësoi organizimin e konferencës studentore si një hap të rëndësishëm në shkrimet akademike por edhe në edukimin ligjor dhe juridik që duhet të marrin të rinjtë shqiptarë.