Firmoset marrëveshja e bashkëpunimit me Shkollën Shqiptare të Magjistraturës
Universiteti “Hëna e Plotë” (Bedër) dhe Shkolla e Magjistraturës në Tiranë nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi. Firmosja e kësaj marrëveshjeje hap rrugën e bashkëpunimit në fusha të rëndësishme dhe me interes për të dyja institucionet, sidomos në fushën e arsimimit dhe kualifikimit të studentëve që vijnë nga fusha e drejtësisë. Kjo marrëveshje u nënshkrua nga Drejtoresha e Shkollës së Magjistraturës, Prof. Dr. Mariana Semini dhe rektori i Universitetit“Hëna e Plotë” (Bedër), Dr. Ferdinand Gjana. Marrëveshja përfshin veprimtarinë e përbashkët kërkimore, trajnimin e stafit akademik, pjesëmarjen e studentëve të masterit në trajnime që organizon Shkolla e Magjistraturës, pjesëmarrjen në konferenca, seminare dhe workshope dhe shkëmbimin e literaturës akademike dhe informacionit etj. Rektori Dr. Gjana pasi falenderoi znj. Semini, nënvizio rëndësinë e kësaj marrëveshjeje në fushën e edukimit dhe kërkimit shkencor si për universitetin ashtu edhe për shkollën e magjistraturës,dhe e cilësoi si një mundësi për të marrë dhe për të shkëmbyer eksperienca.