Firmoset marrëveshja e bashkëpunimit me Universitetin “Suleyman Sah” në Stamboll
Universiteti “Hëna e plotë” (BEDËR) nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi me Universitetin “Suleyman Sah” në Stamboll. Marrëveshja përfshin bashkëpunimin mes dy universiteteve në fushën akademike, shkëmbimin e studentëve dhe stafit. Ndërkohë që në marrëveshje përfshihet edhe bashkëpunimi në organizimin e konferencave dhe simpoziumeve të përbashkëta, si dhe koordinimi ndërmjet dy universiteteve për projekte në fushën e kërkimit shkencor.
Marrëveshja u firmos gjatë vizitës që rektori i Universitetit “Hëna e plotë” (BEDËR), Dr. Ferdinand Gjana zhvilloi në Universitetin “Suleyman Sah”. Gjatë takimit të zhvilluar me rektorin e Universitetit “Suleyman Sah”, Prof. Dr. Huseyin Ekiz u diskutua për mënyrat e bashkëpunimit, si dhe u shpreh vullneti për të vënë në zbatim marrëveshjen e firmosur nga të dyja palët.
Dr. Gjana e njohu homologun e tij me misionin e Universitetit “Hëna e plotë” (BEDËR), si dhe me aktivitetin e këtij institucioni të arsimit të lartë që nga themelimi deri në ditët e sotme. Ndërkohë, që u ndal edhe në rëndësinë që universiteti i kushton bashkëpunimit ndërkombëtar, duke synuar zgjerimin e mundësive për studentët dhe stafin akademik.
Universiteti “Suleyman Sah” është themeluar në vitin 2008 dhe është i fokusuar kryesisht në fushën e shkencave sociale. Mësimdhënia në këtë universitet zhvillohet tërësisht në gjuhën angleze.