Firmoset marrëveshja e bashkëpunimit me Universitetin “Yildiz Teknik” në Stamboll
Universiteti “Hëna e plotë” (BEDËR) nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi me Universitetin “Yildiz Teknik” në Stamboll. Firmosja e kësaj marrëveshjeje me një nga universitetet më të vjetra në Turqi hap rrugën e bashkëpunimit në fusha të rëndësishme për të dy universitetet.
Ceremonia e nënshkrimit u krye gjatë vizitës që Rektori i Universitetit “Hëna e Plotë” (BEDËR), Dr. Ferdinand Gjana zhvilloi në Universitetin “Yildiz Teknik”, ku u prit nga rektori, Prof. Dr. Ismail Yuksek.
Gjatë ceremonisë së nënshkrimit palët shprehën edhe një herë vullnetin për të vënë në jetë, sa më shpejt që të jetë e mundur, mundësitë e bashkëpunimit që ofron kjo marrëveshje. Rektori i Universitetit “Hëna e Plotë” (BEDËR), Dr. Ferdinand Gjana nënvizoi se kjo marrëveshje shërben si një themel për të përforcuar në të ardhmen marrëdhëniet ndërmjet dy institucioneve dhe aktiviteteve të ndryshme akademike. Marrëveshja përfshin shkëmbimin e studentëve, stafit akademik, organizimin e konferencave të përbashkëta dhe koordinimin e projekteve të përbashkëta në kërkimin shkencor.
Universiteti “Yildiz Teknik” është themeluar në vitin 1911 dhe numëron 10 fakultete, 2 institute dhe 3 qendra kërkimore. Në të studiojnë rreth 25 000 studentë dhe renditet në një nga universitetet më prestigjioze jo vetëm në Turqi, por edhe më gjerë.