Firmoset marrëveshja e bashkëpunimit me Universitetin e Tiranës
Universiteti "Hëna e Plotë" (Bedër) dhe Universiteti i Tiranës nënshkruan sot një marrëveshje bashkëpunimi, që synon thellimin e marrëdhënieve midis dy institucioneve. Ceremonia e nënshkrimit u krye gjatë vizitës që rektori i Universitetit “Hëna e Plotë” (Bedër), Dr. Ferdinand Gjana dhe drejtues të tjerë të universitetit zhvilluan në Universitetin e Tiranës. Gjatë vizitës ata u pritën nga rektori i Universitetit të Tiranës, Prof. Dr. Dhori Kule dhe drejtues të tjerë të këtij universiteti.
Në ceremoninë e nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje, të dyja palët shprehën kënaqësinë për këtë hap drejt konkretizimit të bashkëpunimit mes dy institucioneve. Rektori i Universitetit të Tiranës, Prof. Dr. Dhori Kule e vlerësoi nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje si një hap të rëndësishëm, në kuadër të bashkëpunimit mes universiteteve shqiptare.
Ai vlerësoi arritjet e deritanishme të Universitetit “Hëna e Plotë” (Bedër), duke i cilësuar ato si një tregues i vullnetit që kanë drejtuesit e këtij institucioni për të ndërtuar një institucion serioz në fushën e arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor. “ Sot jemi mbledhur këtu për të zyrtarizuar bashkëpunimin me Universitetin “Hëna e Plotë”(Bedër). Them për të zyrtarizuar, sepse në fakt ne kemi filluar bashkëpunimin mes dy institucioneve më herët . Universiteti i Tiranës ka firmosur marrëveshje me shumë universitete të tjera, por unë shpreh bindjen se kjo e sotmja do të jetë e veçantë në kuptimin e zbatimit të saj. Pak ditë më parë në ishim prezent në ceremoninë e fillimit të punimeve për kampusin e Universitetit “Hëna e Plotë”(Bedër), një hap i rëndësishëm ky për këtë universitet. Unë shpresoj që edhe Universiteti i Tiranës do të ecë në këtë drejtim, duke inauguruar së shpejti fillimin e punimeve për kampusin e ri.” -u shpreh profesor Kule.
Ndërsa, rektori i Universitetit “Hëna e Plotë” (Bedër), Dr. Ferdinand Gjana, pasi falënderoi rektorin e Universitetit të Tiranës për pritjen , u shpreh se firmosja e kësaj marrëveshjeje mes dy universiteteve, është një moment i rëndësishëm në drejtim të konkretizimit të bashkëpunimit për projekte konkrete, që do të realizohen në të ardhmen. Ai vlerësoi Universitetin e Tiranës për kontributin që ka dhënë në vite në përgatitjen dhe edukimin e të gjithë brezave. “ Unë mendoj se Universiteti i Tiranës është një pasuri kombëtare që na përket të gjithëve. Ne nuk e shohim kurrë marrëdhënien me këtë universitet nga dritarja e konkurrencës. Kontributi që Universiteti i Tiranës ka dhënë ndër vite, duke diplomuar breza të tërë studentësh, është i pazëvendësueshëm. Ne mendojmë se bashkëpunimi mes dy universiteteve do të jetë i dobishëm dhe do të sjellë rezultate konkrete në interes të dy institucioneve tona.”- u shpreh Dr. Gjana.
Më pas ai vuri në dukje dhe veçoritë e institucionit që drejton, duke u ndalur në karakterin ndërkombëtar të universitetit. “ Universiteti “Hëna e Plotë”( Bedër) ka një staf akademik që vjen nga 10 vende të ndryshme dhe studentë që vijnë nga 15 shtete. Ne do të ishim të lumtur, nëse pedagogët tanë që vijë nga këto vende, të ndajnë dijet dhe eksperiencën e tyre në auditorët e Universitetit të Tiranës.”- tha Dr. Gjana.
Marrëveshja e firmosur përfshin shkëmbimin e studentëve, stafit akademik, organizimin e konferencave të përbashkëta dhe koordinimin e projekteve të përbashkëta në fushën e kërkimit shkencor.
Harta e bashkëpunimeve
Universiteti “Hëna e Plotë” (Bedër) i kushton një rëndësi të veçantë bashkëpunimit me universitete prestigjioze në Shqipëri, por edhe në rajon e më gjerë. Strategjia e ndjekur deri tani ka synuar zgjerimin e hartës së bashkëpunimit me sa më shumë universitete, me qëllim rritjen e mundësive për stafin dhe për studentët. Në kuadër të këtyre marrëveshjeve, është bërë e mundur organizmi i përbashkët i disa konferencave ndërkombëtare.
Gjithashtu, në sajë të këtyre marrëveshjeve, një pjesë e stafit akademik të universitetit është angazhuar në programe shkëmbimi me këto universitete. Po kështu edhe numri i studentëve që kanë përfituar nga programet e shkëmbimit mes universiteteve në vitin e parë, ka qenë 14, ndërkohë që pritet të rritet edhe më shumë vitin e ardhshëm. Aktualisht Universitetit “Hëna e Plotë” (Bedër) ka arritur marrëveshje me 20 universitete të ndryshme brenda dhe jashtë vendit.