Firmoset Marrëveshja e Bashkëpunimit me Universitetin “Ondokuz Mayıs”
Universiteti “Hëna e Plotë” (BEDËR) dhe Universiti “Ondokuz Mayıs” (Samsun, Turqi) firmosën një marrëveshje bashkëpunimi në fushën akademike. Kjo marrëveshje vjen në vazhdën e strategjisë së universitetit për të zgjeruar sa më shumë hartën e bashkëpunimeve me universitete dhe institucione të arsimit të lartë më prestigjoze në të gjithë botën.
Gjatë ceremonisë së nënshkrimit palët shprehën edhe një herë vullnetin për vënë në jetë sa më shpejt të jetë e mundur mundësitë e bashkëpunimit që ofron kjo marrëveshje. Rektori i Universitetit “Hëna e Plotë” (BEDËR), Dr. Ferdinand Gjana nënvizoi se kjo marreveshje shërben si një themel për të përforcuar në të ardhmen marrëdhëniet ndërmjet dy intitucioneve dhe aktiviteteve të ndryshme akademike.
Universiteti Ondokuz Mayıs është një universitet publik i themeluar në vitin 1975. Vizioni i këtij Universiteti është që të luajë një rol kryesor në risitë shkencore dhe teknologjike, në përmirësimin e cilësisë ne arsimim dhe edukim.
Kampusi kryesor gjendet në zonën e Samsunit. Aktualisht, Universiteti Ondokuz Mayıs përbëhet nga 15 fakultete, 3 kolegje, 9 Shkolla profesionale si dhe 5 institute.
Marrëveshja e bashkëpunimit u firmos nga Rektori i Universitetit Hëna e Plotë (BEDËR) Dr. Ferdinand Gjana dhe Rektori i Univesitetetit Ondokuz Mayıs Prof. Dr. Hüseyin Akan. Në sferën e bashkëpunimit të kësaj marrëveshje përfshihen aktivitetet si më poshtë:
- Shkëmbim të stafit akademik
- Shkëmbim studentësh në ciklin e parë dhe të dytë të studimeve
- Organizimin e përbashkët të kërkimeve shkencore dhe publikimeve
- Organizimin e përbashkët të konferencave shkencore dhe seminare akademike