Ilva Tare: Angazhimi i gruas në politikë, sipas meritave dhe aftësive.
01 Tetor 2012
Sfidat e gruas në politikë dhe media, problematika që paraqitet në shoqërinë shqiptare dhe zgjidhjet e mundshme, ishin disa nga pikat e diskutimit në leksionin e hapur të zhvilluar nga Departamenti i Shkencave të Komunikimit me pjesmarrjen e gazetares, Ilva Tare.
Gazetarja e njohur dhe drejtuesja e emisionit “To night” në Radio televizonin Ora News Ilva Tare, ishte e ftuar në një bashkëbisedim me studentët e Departamentit të Shkencave të Komunikimit në Universitetin Hëna e Plotë (BEDËR). Zonja Tare, referoi para studentëve mbi temën “Sfidat e gruas në media dhe politikë” duke u ndalur në realitetin që paraqet shoqëria shqiptare.
Duke e ilustruar bisedën me shembuj nga karriera e saj në gazetari, ajo u shpreh se gruaja shqiptare ka të gjitha potencialet e duhura për të dhënë kontributin e saj në të gjitha sferat e shoqërisë. Sipas saj, diskriminimi pozitiv që parashikon legjislacioni shqiptar nuk ka sjellë një angazhim më cilësor të gruas në politikë dhe fusha të tjera. Në këtë këndvështrim, gazetarja Ilva Tare tha se femra duhet që të konkurrojë me meshkujt në bazë të aftësive dhe përgatitjes së saj profesionale dhe jo të jetë në një pozicion të caktuar vetëm si rezultati i avantazheve që ofrojnë ligjet.
Duke iu përgjigjur interesit të studentëve në lidhje me pozitën e gruas në media, Zonja Tare u shpreh se situata në këtë fushë nuk bën përjashtim nga realiteti i përgjithshëm ku prejardhja nga shoqëri maskiliste, luan rol pengues për femrat që duan të bëjnë karrierë.