Këshillat Ndërfetarë të Europës zhvillojnë Forum Ndërkombëtar në Kolegjin Universitar “Bedër”
Liderët e Këshillave Ndërfetarë të Evropës zhvilluan për disa ditë radhazi disa aktivitete në Shqipëri. Një ndër ta ishte zhvillimi i një Forumi Ndërkombëtar në ambientet e kolegjit universitar “Bedër”.
Në forum morën pjesë krerët e Këshillave Ndërfetarë të Europës (Religions for Peace Europe) dhe drejtues nga Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë.
Ata u pritën fillimisht nga rektori i KU-Bedër, Prof. Dr. Gjergji Sinani, i cili e vlerësoi këtë vizitë si kuptimplotë për arsyen se liderët e Këshillave Ndërfetarë evropianë zgjodhën këtë vit pikërisht Shqipërinë për zhvillimin e takimit vjetor të tyre, i cili u zhvillua gjithashtu në ambientet e universitetit. Në takimin e zhvilluar në sallën e senatit ishin të pranishëm zv/rektori, Dr. Isa Erbaş, lektorë nga Departamenti i Shkencave Islame dhe drejtues nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, përfaqësues në KNFSH.
Delegacioni evropian kryesohej nga Dr. Luigi de Salvia, Presidenti i Këshillave Ndërfetar të Evropës (RfP Europe), si dhe Prof. Dr. Joan Hernandez Serret, Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit Ndërfetar të Europës (Religions for Peace Europe).
Më pas, forumi i zhvilluar në sallën e konferencave u përshëndet nga Prof. Asoc. Dr. Genti Kruja, zv/president i Këshillave Ndërfetarë të Europës dhe njëkohësisht lektor në Universitetin Bedër. Dr. Luigi De Salvia, në cilësinë e kryesuesit të delegacionit, vlerësoi bashkëpunimin ndërfetar në Shqipëri, si një model për t’u importuar edhe në vendet e tjera të Europës dhe më gjerë. “Respekti i ndërsjellë i feve në Shqipëri është shtyllë e rëndësishme e dinamikave pozitive fetare në Europë sot”, u shpreh ai. Po ashtu edhe Prof. Dr. Serret, lektor në Universitetin e Barcelonës vlerësoi frymën e dialogut dhe bashkëpunimit ndërfetar në Shqipëri.
Më pas forumi vijoi me seancën e kumtesave të anëtarëve të Departamentit të Rinisë dhe Departamentit të Gruas në KNFSH, përfaqësues nga pesë komunitetet e ndryshme fetare në Shqipëri. Pas seancës së kumtesave, Prof. Dr. Elisabeth Naurath, presidente e “Religions for Peace, Germany” dhe gjithashtu lektore në Universitetin e Agsburgut mbajti një kumtesë duke vënë theksin në rolin e paqes dhe dialogut ndërfetar. Ajo ndër të tjera tha: “Çdo akt dhune është një blasfemi ndaj krijimit të Zotit”.
Të pranishmit në Forumin Ndërkombëtar vizituan edhe ekspozitën e çelur me këtë rast në ambientet e universitetit, titulluar: “Harmonia ndërfetare në Shqipëri”, ku ndër të tjera spikasnin fotot nga bashkëpunimi akademik ndërfetar i Departamentit të Shkencave Islame me Institutin Teologjik Katolik dhe Akademinë Teologjike Ortodokse.
Delegacioni evropian përbëhet nga presidentët dhe drejtues të këshillave ndërfetarë të Shqipërisë, Gjermanisë, Bullgarisë, Britanisë së Madhe, Holandës, Spanjës, Italisë dhe Belgjikës, pjesë e Bordit Drejtues të Këshillit Ndërfetar të Europës (European National Interreligious Bodies, Religions for Peace Europe).
Ata do të qëndrojnë në Shqipëri, ku do të zhvillojnë takime të ndryshme me liderët fetarë, bordet dhe departamentet e Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë, institucione akademike dhe arsimore në varësi të komuniteteve fetare në vendin tonë, si dhe vizita studimore në disa qytete, ku do të ndalen në objekte të ndryshe kulti.
Organizata “Religions for Peace”, themeluar më 1970 në Nju Jork është institucioni më i madh në nivel global, i akredituar nga OKB, i cili është i përfshirë në dialogun ndërfetar dhe ndërtimin e paqes në botë. Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë i themeluar më 2007 është pjesë e “Religions for Peace” dhe ka një marrëdhënie partneriteti me të, ku anëtarë të bordeve të tij marrin pjesë në Asamblenë e Këshillit Ndërfetar të Europës dhe Asamblenë Botërore të Këshillave Ndërfetarë.