Konferenca me temë “Të drejtat e njeriut në shekullin e 21”, mbledh në Tiranë studiues të rinj nga 12 vende të ndryshme.
01 Tetor 2012
Departamenti i Drejtësisë në Universitetin Hëna e Plotë- BEDËR në bashkëpunim me Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Tiranës, organizuan Konferencën e Parë Ndërkombëtare të Studiuesve të rinj në fushën e drejtësisë me temë “Të drejtat e njeriut në shekullin e 21”. Gjatë konferencës 60 studiues të rinj nga 12 vende të ndryshme të botës dhe 17 universitete kanë referuar mbi çështje dhe problematika që lidhin çështjen e të drejtave të njeriut. Në ceremoninë e hapjes ishin të pranishëm Ambasadori i Ambasadori i OSBE-së në Shqipëri, z. Eugen Wollfarth, Kryetari i Gjykatës Kushtetuese Bashkim Dedja, dhe drejtues të universitete si dhe personalitete të tjera në fushën e drejtësisë.
Zëvendësrektori i Universitetit Hëna e Plotë- BEDËR, Dr. Ahmet Ecirli (Exhirli) në fjalën e tij përshëndetëse falënderoi të pranishmit për pjesmarrjen dhe shprehu bindjen se organizimi i kësaj konference, i pari i këtij lloji në Shqipëri, është një mundësi për juristët e rinj nga vende të ndryshme që të shkëmbejnë ide dhe eksperienca në disiplina, tradita dhe perspektiva të ndryshme. Ai tha se çështjet që lidhen me të drejtat e njeriut kërkojnë një angazhim të të gjithë faktorëve dhe Universiteti Hëna e Plotë- BEDËR ka kënaqësinë të jetë promotor në këtë drejtim. “Karta e të Drejtave të Njeriut nuk do të krijojë në mënyrë të magjishme, kulturën e vetëdijes dhe respektimit të të drejtës. Ne na duhen institucione që të luajnë një rol të rëndësishëm në promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut si dhe të krijojnë një kulturë në këtë drejtim. Na duhet një program kombëtar i qëndrueshëm dhe i vazhdueshëm sa i përket aspektit të edukimit mbi çështjen që lidhjen me të drejtat e njeriut”, u shpreh z. Dr. Ahmet Exhirli.
Ambasadori i OSBE-së në Shqipëri, Eugen Wolfarth vlerësoi kontributin dhe rolin e Universitetit BEDËR për organizimin e kësaj konference me një pjesmarrje të gjerë nga vende të ndryshme të botës. Të drejtat e njeriut, sipas tij përbëjnë një çështje kyçe për Prezencën e OSBE-së në Shqipëri dhe jo vetëm. “Është kënaqësi dhe nder për mua të kem mundësinë dhe rastin për të folur me ju për një çështje kaq të rëndësishme të jetës dinjitoze të njeriut”, u shpreh Ambasadori Wolfarth. Ai tha se mbështetja e Prezencës së OSBE-së në këtë çështje përbën një ndër prioritet kryesore të misionit të saj në Shqipëri.
I pranishëm në hapjen e punimeve të konferencës, Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, z. Bashkim Dedja vlerësoi punën dhe nismën e organizatorëve të këtij aktivitetit. Ai tha se çështjet e të drejtave të njeriut përbëjnë një çështje shumë të diskutuar në shekuj, por merr një rëndësi në shekullin e 21. “Ndihem i vlerësuar për ftesën dhe mundësinë për pjesmarrjen në të parën konferencë që ka të bëjë më të drejtat e njeriut. Axhenda e këtij shekulli i vlerëson ato si të padhunueshme, të patjetërsueshme dhe universale. Të drejtat e njeriut janë një sfidë universale edhe pse për shekuj është luftuar për to, edhe pse janë reflektuar një sërë aktesh kombëtare dhe ndërkombëtare, dinamika e shoqërisë, mundësia e ndërgjegjësimi i individit për të drejtat që gëzon dhe ato që duhet të gëzojë vazhdon të vërë shtetet dhe organet kompetente para përgjegjësisë për të përmirësuar dhe për të mundësuar efektivisht ushtrimin e tyre të plotë nga individi”, u shpreh z. Dede.
Dekani i Fakultetit të Drejtësisë në Universitetin e Tiranës, Dr. Altin Shegani, bashkëpunimin mes dy universiteteve e konsideroi si një risi në universitetet shqiptare. Ai shprehu bindjen se nisma të tilla do të vijojnë dhe në të ardhmen. “Është një moment i rëndësishëm për Universitetin BEDËR dhe Universitetin e Tiranës. Organizimi i kësaj konference përbën një risi, pasi të dy universitetet hapin një mundësi për implementimin e standarteve evropiane në kërkimet akademike. Organizimi i konferencave të përmasave të tilla është një mundësi shumë e mirë për studiuesit e rinj. Ky është një shembull i mirë i bashkëpunimit dhe faktit se me një vullnet të mirë mund të ketë dhe të tilla organizime”, u shpreh ai.
Konferenca Ndërkombëtare e Studiuesve të rinj në Fushën e Drejtësisë me temë “Të drejtat e njeriut në shekullin e 21” është e para e këtij lloji e organizuar në Shqipëri dhe ka tërhequr vëmendjen dhe interesin e rreth 60 studiuesve të rinj në 12 vende të ndryshme të botës. Pjesmarrësit kanë referuar për çështje dhe aspekte të ndryshme në lidhje me të drejtat e njeriut, si dhe kanë ndarë eksperiencat e tyre.