Konferenca Ndërkombëtare me temë “Aspekte të përbashkëta në kulturën turke dhe shqiptare”
01 Tetor 2012

Departamenti i Gjuhës dhe Letërsisë Turke në Universitetin Hëna e Plotë- BEDËR në bashkëpunim me Universitetin e Prizrenit, Universitetin e Tiranës, Qendrën Kulturore “Yunus Emre”, organizuan Konferencën Ndërkombëtare në Gjuhë dhe Letërsi me temë “Aspekte të përbashkëta në kulturën turke dhe shqiptare”. Në konferencë studiues dhe akademikë nga Shqipëria, Turqia, Kosova, Maqedonia dhe Azerbajxhani kanë referuar mbi tema të cilat fokusohen në aspektet e përbashkëta në kulturën e dy popujve. Në ceremoninë e hapjes ishin të pranishëm akademikë, historian, studiues të gjuhës dhe kulturës, përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë si dhe të ftuar të tjerë.
Kryetari i Konferencës, njëkohësisht dhe përgjegjës i Departamentit të Gjuhës dhe Letërsisë Turke, Dr. Adem Ballaban, në fjalën e tij përshëndetëse falenderoi të pranishmit për pjesëmarrjen dhe shprehu bindjen se organizimi i kësaj konference, në Shqipëri, është një mundësi për studiuesit e kulturës, gjuhës dhe historisë që të shkëmbejnë ide dhe eksperienca në disiplina, tradita dhe perspektiva të ndryshme. “Synimi i konferencës evidentimi i aspekteve të ndryshme në të dy kulturat, duke e parë “të ndryshmen” si një pasuri dhe mundësi bashkëpunimi dhe jo si një element ndarës”, tha Dr. Balaban.
Ndërkohë në fjalën e tij para të pranishmëve, rektori i Universitetit Hëna e Plotë- BEDËR, Dr. Ferdinand Gjana theksoi se “Pjesëmarrja e studiuesve të disiplinave shoqërore në këtë konferencë dhe larmia e kumtesave dhe dimensionit akademik do të jenë një kontribut në aspektin shkencor dhe informativ, dhe do të evidentojë ato vlera që me kalimin e kohës krijuan një marrëdhënie të ngushtë në popull dhe që kjo marrëdhënie u pasqyrua edhe në jetën e përditshme, zakonet, traditat, mënyrën e jetesës, duke krijuar kështu pika të përbashkëta”.
Në ceremoninë e hapjes përshëndetën Gjithashtu edhe Rektori i Universitetit të Prizrenit, Prof. Dr. Mazllum Baraliu, Rektori i Universitetit Epoka, Prof. Dr. Hlalil Murat Ozler si dhe Sekretari i Parë i Ambasadës së Turqisë, z. Mustafa Uludag. Rektori i universitetit të Prizrenit, u ndal në nevojën e vazhdimit të bashkëpunimeve mes universitete në Shqipëri dhe atyre që ndodhen në Kosovë duke theksuar se ky bashkëpunim do të hapte mundësi të reja në aspektin e projekteve kërkimore-shkencore.