KU “Bedër” i akordon “Doktor Honoris Causa” Shkëlqesisë së Tij, Dr. Mohammad bin Abdulkarim Al-Issa
Kolegji Universitar “Bedër” i akordon titullin “Doktor Honoris Causa” Shkëlqesisë së Tij, Dr. Mohammad bin Abdulkarim Al-Issa, Sekretar i Përgjithshëm i Ligës së Botës Islame dhe njëkohësisht Kryetar i Asosacionit të Dijetarëve Myslimanë. Dr. Issa ka shërbyer si Ministër i Drejtësisë dhe Këshilltar i Gjykatës Mbretërore. Ai ka kontribuar gjerësisht në reforma legjislative në fushën e familjes, në çështjet humanitare dhe të drejtat e grave.
Ceremonia e organizuar me rastin e akordimit të titullit honorifik bëri bashkë trupa diplomatikë, akademikë, përfaqësues nga Komiteti Shtetëror për Kultet, myftinj, imamë dhe studentë.
Ceremonia filloi me recitimin e disa vargjeve Kuranore nga myftiu i Tiranës, z. Lauren Luli.
Më tej, Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu mbajti fjalën e tij përshëndetëse. Gjatë përshëndetjes së tij, z. Spahiu vlerësoi rolin thelbësor të Dr. Issa në transmetimin e mesazheve të dijes, tolerancës dhe dialogut.
Ceremonia vijoi me fjalën përshëndetëse të rektorit të Kolegjit Universitar “Bedër”, Prof. Dr. Gjergji Sinani, i cili shprehu konsideratën e lartë për angazhimin e vazhdueshëm të Shkëlqesisë së Tij në ndërtimin e kundër-narrativës ndaj ideologjive ekstremiste dhe devijante. “Dija dhe dialogu janë dy rrugët kryesore për të luftuar islamofobinë dhe çdo formë tjetër paragjykimi të gabuar”, u shpreh ai.
Në përfundim të fjalimit, rektori i KU “Bedër” i akordoi titullin “Doktor Honoris Causa” Shkëlqesisë së Tij, Dr. Mohammad bin Abdulkarim Al-Issa, me motivacionin: “Për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në promovimin e tolerancës, harmonisë dhe bashkëjetesës ndërfetare, si dhe rolit aktiv në inkurajimin dhe mbështetjen e programeve humanitare në nivel global”.
Dr. Issa shprehu falënderimet e përzemërta për titullin e akorduar. “Është nder dhe privilegj që universiteti juaj më ka përzgjedhur për të më akorduar këtë titull, i cili më vendos para përgjegjësisë për konsolidimin e bashkëpunimit ndërinstitucional si mjet për realizimin e misionit fisnik në rrugën e përhapjes së mesazhit të vërtetë të fesë në funksion të bashkëpunimit dhe mirëkuptimit ndërmjet popujve”, u shpreh ai.
Vizita e delegacionit vijoi me një takim të Shkëlqesisë së Tij me anëtarët e senatit akademik. Gjatë takimit, u diskutua mbi rolin që luan KU “Bedër” në fushën e arsimit të lartë në Shqipëri. Dr. Issa u ndal në rëndësinë e veçantë të Departamentit të Shkencave Islame duke theksuar se studimet islame përbëjnë boshtin kyç në konsolidimin e njohurive dhe vlerave fetare.
Më tej, Dr. Mohammad bin Abdulkarim Al-Issa zhvilloi një takim të ngushtë me studentë dhe lektorë të Departamentit të Shkencave Islame. Fokusi i bashkëbisedimit ishte mbi rëndësinë e orientimit dhe kuptimit drejt të teksteve fetare duke i interpretuar ato sipas nevojave të kohës dhe vendit ku jetojmë.
Në fund të vizitës, u shkëmbyen dhuratat e rastit.