Leksion i hapur “Roli i Gjykatës Kushtetuese në promovimin e shtetit të së drejtës në Kosovë”
Në kuadër të iniciativës “100- vjet drejtësi” dhe ditës së Europës, studentët e departamentit të drejtësisë zhvilluan një leksion të hapur me temë: “Roli i Gjykatës Kushtetuese në promovimin e shtetit të së drejtës në Kosovë”, me Kryetarin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Prof. Dr. Enver Hasani dhe anëtarë të kësaj gjykate.
Z. Hasani i njohu studentët me sfidat dhe reformat që përballet Gjykata Kushtetuese në Kosovë, në funksion të konsolidimit të shtetit ligjor. Ai u shpreh se institucioni që drejton, luan një rol të rëndësishëm në mbrojtjen e Kushtetutës së Kosovës dhe është mjeti i fundit i sigurisë, që qytetarët kosovarë të sigurohen se do të respektohen të drejtat e tyre kushtetuese.
Kreu i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, pasi i bëri një historik të shkurtër zhvillimit të gjyqësisë kushtetuese kosovare, u shpreh se konstitucionalizmi modern në Kosovë u sanksionua dhe u vu në jetë vetëm pas shpalljes së pavarësisë së saj, më 17 shkurt 2008. Pas kësaj date, Kosova hyri në rrugëtimin e shpejtë të ndërtimit të institucioneve bazike kushtetuese të një shteti të pavarur dhe sovran. Ai përmendi një sërë vendimesh të rëndësishme, që patën ndikim në jetën politike dhe institucionale të shtetit të Kosovës, siç ishte rasti i vendimit, në lidhje me ish- presidentin Fatmir Sejdiu dhe rastin e shpalljes si jokushtetuese zgjedhjen e z. Behgjet Pacolli, në postin e presidentit.
Në vazhdim ai tha se Gjykata Kushtetuese e Kosovës, nga themelimi e deri më sot, ka zënë një vend të merituar në sistemin kushtetues kosovar dhe në asnjë rast, nuk ka hasur në moszbatim të vendimeve të saj, edhe pse nuk ka një garantues të zbatimit të tyre. Sipas kryetarit Hasani, Gjykata Kushtetuese e Kosovës jo vetëm që do të jetë gardiani i Kushtetutës, por edhe do të ndërhyjë aktivisht dhe me guxim në sigurimin e ndarjes së pushteteve dhe në mbikëqyrjen e cilësisë kushtetuese të ligjeve.