Mbahet Konferenca Studentore me temë “Media dhe Politika"
01 Tetor 2012
Raporti mes medias dhe politikës, një nga çështjet më të diskutuara nga publiku shqiptar pas viteve ’90, ishte kryetema e konferencës studentore “Media dhe politika”, e organizuar nga Departamenti i Shkencave të Komunikimit pranë Universitetit “Hëna e Plotë” (BEDËR). Në sesionin e hapjes së konferencës ishin të pranishëm personalitete të rëndësishme nga fusha akademike, politika dhe përfaqësues të medias, të cilët vlerësuan punimet e kësaj konference si nja hap pozitiv në formimin akademik të studentëve dhe diskutimin e temave të tilla në një tjetër nivel.
Punimet e konferencës i përshëndetën Rektori i Universitetit Politeknik, Prof. Dr. Jorgaq Kaçani, Rektori i Universitetit Europian të Tiranës, Prof. Assc. Dr. Tonin Gjuraj, z. Clive Rumbold, Sekretari i Parë dhe Shef i Sektorit Politik në Delegacionin e Bashkimit Europian në Tiranë dhe gazetari Blendi Fevziu.
Përgjegjësi i Departamentit të Shkencave të Komunikimit, z. Ramadan Çipuri, kryetari i kësaj konference, vuri theksin në rëndësinë që kanë studimet në fushën e medias dhe të politikës. Z.Çipuri tha se konferenca e parë studentore mbi “Median dhe politikën” synon sigurimin e një konteksti akademik për diskutimin e çështjeve që lidhen me komunikimin, problemet shoqërore etj., me qëllim zhvillimin e perspektivës teorike dhe praktike të studentëve dhe edukimin e kompetencave specifike për profesionin, si dhe njohjen e tyre me zhvillimet më të fundit në fushën e shkencave të komunikimit.
Ndërkohë, Rektori i Universitetit “Hëna e Plotë” (BEDËR), Dr. Ferdinand Gjana, në fjalën e tij përshëndetëse njohu të pranishmit me misionin dhe arritjet e deritanishme. Rektori tha se konferenca me temë “Media dhe politika” merr vlera të veçanta në kushtet e shoqërisë shqiptare, ku media është një përcjellës i fuqishëm i informacionit. Studentët,-vazhdoi ai-, kanë mundësinë të shpalosin idetë e tyre, të përballen me realitetin, të zhvillojnë debatin shkencor mbi median, të analizojnë zhvillimin e medias, të adaptojnë të rejat shkencore, duke rritur kështu cilësinë ballafaquese, duke fituar prirje të reja dhe duke kontribuar në mendimin shkencor”.
Kryetarja e Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, Valentina Leskaj tha se diskutimi i raporteve mes medias dhe politikës në një konferencë studentore ka një rëndësi të veçantë. Ajo tha se pavarësisht marrëdhënieve mes politikës dhe medias në vite dhe vështirësive, në këtë fushë është bërë progres. Leskaj tha se një pikë e rëndësishme është dhe përfundimi nga Komisioni i Medias, i ligjit për mediat audiovizive, duke e konsideruar atë si një proces të rëndësishëm. Të pranishmit e tjerë vlerësuan ndërmarrjen e një nisme të tillë dhe vunë theksin në domosdoshmërinë e rritjes së nivelit akademik dhe rritjes së bashkëpunimit mes universiteteve shqiptare.