Mbahet takimi didaktik-shkencor mbi gjuhën shqipe
Qendra Kërkimore për Gjuhë dhe Letërsi në Universitetin Hëna e Plotë (Bedër) në bashkëpunim me Qendrën e Studimeve Albanologjike organizuan sot një takim didaktik-shkencor me temë: “Gjuha shqipe: historiku dhe aktualiteti”.
Të pranishëm në këtë organizim ishin Drejtori I Qendrës së Studimeve Albanologjike Prof.Dr. Ardian Marashi, akademiku i njohur Kolec Topalli, Drejtori i Institutit të Gjuhësisë Prof. Dr. Valter Memisha dhe studiues të tjerë të kësaj fushe.
Të pranishmit referuan punime të ndryshme shkencore në lidhje me temën e orgnaizimit. Prof.Dr. Ardian Marashi, drejtor i Qendrës së Studimeve Albanologjike gjatë fjalës së tij iu përmbajt hartës gjeografike të gjuhës shqipe sot në botë. Ndërsa Akademiku Kolec Topalli, sekretar shkencor i Qendrës së Studimeve Albanologjike referoi temën:“Marrëdhëniet e shqipes me turqishten” ku u ndal në historinë e bashkëveprimit mes dy gjuhëve.
Nga ana tjetër drejtor i Institutit të Gjuhësisë Prof.Dr. Valter Memisha, e fokusoi diskutimin e tij mbi temën “Dialektet dhe norma e shqipes”. Ai vuri në dukje se kjo temë është bërë shpesh objetk diskutimi kohët e fundit. I pranishëm në takim, Prof. Assoc. Dr. Rahim Ombashi pedagog në Universitetin Bedër referoi temën: “Një historik i shkurtër i gjuhës shqipe”.