Nënshkruhet marrëveshja, Bursa studimi për fëmijet e policëve të rënë në krye të detyrës
Universiteti Hëna e Plotë (Bedër) në kuadër të zgjerimit të bashkëpunimeve ndërinstitucionale brenda dhe jashtë vendit nënshkroi marrëveshjen e bashkëpunimit me Ministrinë e Punëve të Brendshme të Republikës së Shqipërisë.
Marrëveshja e firmosur nga rektori i Universitetit Hëna e Plotë Bedër Dr. Ferdinand Gjana dhe Sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Punëve të Brendshme Genci Gjonçaj, parashikon ofrimin e bursave të studimit nga ana e universitetit për fëmijët e policëve të rënë në krye të detyrës. Ky kontribut vjen në kuadër angazhimit dhe misionit të Bedër si një institucion që i jep rëndësi përgjegjësisë sociale dhe për të mbështetur shtresat në nevojë.
Ndër të tjera në marrëveshje parashikohet shtrirja e bashkëpunimit në fushën e edukimit të stafit të ministrisë dhe gjithë institucioneve në varësi të saj sipas programeve të masterit që ofron universiteti, trajnimin profesional dhe programet e praktikave studentore për studentët e Bedër në institucionet në varësi të ministrisë.
Ndërsa nga ana e saj Ministria e Punëve të Brendshme në bazë të mundësive dhe kapaciteteve, do të ofrojë mundësi për zhvillimin e praktikave mësimore për studentët e Universitetit Bedër.
Gjithashtu palët marrin përsipër që të mundësojnë shkëmbimin e eksperiencave midis stafeve respektivë, duke organizuar aktivitete të tilla si: forume të hapura, fushata sensibilizuese, seminare, konferenca, etj.
Fushat e bashkëpunimit:
· Trajnime të stafit përkatës
· Shkëmbime të eksperiencave ndërmjet stafit
· Praktika mësimore
· Bursa studimi
· Mbështetje logjistike (Përmirësim të infrastrukturës)