Organizohet konferenca shkencore: Roli i medias në formimin dhe konsolidimin e identitetit kombëtar
23 Nëntor 2012
Në kuadër të 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, Departamenti i Shkencave të Komunikimit në Universitetin Hëna e Plotë-Bedër organizoi konferencën shkencore kombëtare “Roli i medias në formimin dhe konsolidimin e identitetit kombëtar”.
Në fjalën e hapjes, Kryetari i Konferencës z.Ramadan Çipuri teksa falenderoi panelistët për pjesëmarrjen në këtë konferencë, vlerësoi se pavarësisht debateve të ndryshme, media ka luajtur një rol të rëndësishëm në formimin dhe konsolidimin e identitetit kombëtar.
Me pjesëmarrjen e akademikëve nga universitete të ndryshme dhe specialistëve nga fusha e medias, në referimet e mbajtura u hodhën ide dhe argumenta në lidhje me fillimin, zhvillimin dhe konsolidimin e identitetit kombëtar, si dhe pozicionimit të medias në këtë proces të gjatë.
Një debat që në të ardhmen do të ketë nevojë për tu trajtuar në punime të tjera shkencore ishte edhe ai i Identitetit Kosovar dhe Identitetit Shqiptar.
Në referimin e tij, Prof.As.Dr. Mark Marku theksoi se në gjysmën e dytë të shek.XIX, në mungesë të një kulture të mirëfilltë të librit, shtypi i kohës ishte i vetmi mjet i cili ndihmoi në ngritjen dhe mbrojtjen e identitetit kombëtar. Midis argumenteve të tij ai shtoi se shtypi ishte i vetmi instucion që nxori gjuhën si identifikuese të identitetit kombëtar.
Nga ana tjetër, Dr.Doc.Agron Tufa u fokusua tek debati mbi Identitetin Kosovar dhe atë shqiptar, i cili sipas tij po shoqërohet edhe me nismën për krijimin e një shqipeje të veçante krahas asaj aktuale. “Nuk bëhet fjalë për përdorimin e dialektit, por për krijimin e një gjuhe shqipe të ndryshme nga ajo që kemi. Ndarja e gjuhës ndan etninë”, - theksoi ai.
Përkrah të tjerëve, në këtë konferencë referuan edhe emra të njohur të gazetarisë shqiptare si z.Lutfi Dervishi, z.Aleksandër Çipa, z.Agim Baçi etj.