Përfaqësues i Drejtorisë së Zgjerimit në Komisionin Evropian, Z. Loic Defaye viziton Universitetin Hëna e Plotë-BEDËR.
Drejtuesi i Programit “ People 2 People” për Ndërtimin e Institucioneve pranë Drejtorisë së Zgjerimit në Komisionin Europian Z. Loic Defaye, ka zhvilluar një vizitë në Universitetin Hëna e Plotë-BEDËR, ku është pritur nga rektori, Dr. Ferdinand Gjana. Z. Defaye ndodhej në Tiranë si pjesëmarrës në një konferencë mbi shoqërinë civile ndërkohë që gjatë takimit në universitet ai është njohur nga afër me misionin e këtij institucioni. Rektori i Universitetit, Dr. Ferdinand Gjana , pasi falënderoi Z. Defaye për vizitën u shpreh se universiteti që ai drejton i jep një rëndësi të veçantë kontributit për shoqërinë nëpërmjet projekteve të kërkimit shkencor. Ndërkohë, Z. Defaye është shprehur i impresionuar me misionin dhe me profilin ndërkombëtar që ka krijuar Universiteti Hëna e Plotë-BEDËR. Sipas tij fakti që ky universitet është përzgjedhur nga studentë që vijnë nga vende të ndryshme të rajonit dhe më gjerë, tregon për seriozitetin dhe cilësinë e lartë akademike.