Promovohet udhëzuesi praktik për gazetarët në kohë fushatash elektorale
Një manual, ku përmblidhen rregullat praktike për aktivitetin e gazetarëve gjatë fushatave zgjedhore, është promovuar në ambientet e Universitetit “Hëna e Plotë” (Bedër). Udhëzuesi praktik: “Deontologjia dhe etika e raportimit gjatë fushatës zgjedhore”, një punë e përbashkët e dy pedagogëve të departamentit të komunikimit në Universitetin “Hëna e Plotë” (Bedër), Briseida Mema dhe Ramadan Çipuri, synon t’u vijë në ndihmë gazetarëve që ndjekin dhe pasqyrojnë aktivitetin e subjekteve politike gjatë fushatës zgjedhore.
Në ceremoninë e promovimit të këtij botimi merrnin pjesë Ambasadorja e Francës në Shqipëri, znj. Christine Moro, Ambasadori i Zvicrës z. Alexander Wittwer, Kryetari i Unionit të Gazetarëve, z. Aleksandër Çipa, si edhe gazetarë e studentë të departamentit të komunikimit.
Ambasadorja Moro, në fjalën e saj, e vlerësoi këtë botim si një kontribut të madh që i bëhet komunitetit të gazetarëve në këtë kohë fushate elektorale. Ajo u shpreh se udhëzuesi do t’u shërbejë gazetarëve për të raportuar aktivitetet e fushatës në mënyrë sa më profesionale. “Liria e shtypit gjatë fushatave zgjedhore lidhet veçanërisht ngushtë me demokracinë: gazetari ka detyrë të informojë qytetarët mbi programet dhe aktivitetet e partive. Kjo është dhe tema e këtij udhëzuesi praktik, i cili u drejtohet gazetarëve dhe synon ti ndihmojë për të respektuar etikën dhe detyrën: Aty jepen shembuj se si të punojmë duke i qëndruar besnik parimit të objektivitetit. Udhëzuesi na kujton nevojën e verifikimit të informacioneve, e marjes parasyshtë kontekstit dhe të këndvështrimit të ngjarjeve në perspektivë. Gjatë periudhave zgjedhore është shumë e rëndësishme të shmangen kurthet, çka bën pastaj dallimin mes informacionit dhe propagandës apo manipulimit”- u shpreh znj. Moro.
Ndërkohë, Ambasadori i Zvicrës, z. Wittwer, theksoi rëndësinë që ka media në përcjelljen me sa më shumë objektivitet të aktiviteteve politike, te publiku. Ai u shpreh se botimi në fjalë është një ndihmesë konkrete në këtë drejtim dhe se shpreson që t’u shërbejë jo vetëm reporterëve në terren, por edhe drejtuesve të medieve, si edhe subjekteve politike, të përfshira në këtë fushatë.
Bashkautorja e këtij botimi, Briseida Mema, në fjalën e saj, pasi nënvizoi rëndësinë e këtij botimi,shprehu një falënderim të veçantë për Ambasadën Franceze dhe organizatën “ Reporterë pa kufij “ për mbështetjen dhe mirëkuptimin që treguan në përshtatjen e këtij udhëzuesi, sipas realitetit shqiptar.