Qasjet inovative në shkencat e edukimit dhe ato sociale në shekullin e 21
Departamenti i Shkencave të Edukimit në Kolegjin Universitar Bedër, zhvilloi Konferencën e 5-të radhazi Ndërkombëtare me temë: “Qasjet inovative në shkencat e edukimit dhe ato sociale në shekullin e 21”.
Ky edicion i konferencës vjen si bashkëpunim me Universitetin “Aleksandër Moisiu” Durrës, Fakultetin e Shkencave Sociale në Universitetin e Tiranës dhe Universitetin “Luigj Gurakuqi” në Shkodër.
E zhvilluar në sallën e konferenave të Bedër, konferenca mblodhi sëbashku akademikë dhe studiues nga disa vende të ndryshme të rajonit, si: Bosnje Hercegovina, Maqedonia, Kosova, Mali i Zi dhe Greqia.
Punimet e konferencës u përshëndetën nga përfaqësuesit dhe dekanët e fakulteteve të shkencave të edukimit në institucionet bashkëpunuese. Përmendim këtu, Rektorin e Bedër, Prof. Dr. Ferdinand Gjana, i cili në fjalën e tij përshëndetëse u shpreh optimist se përfundimet e referuesve përsa i përket problematikave themelore që hasin fusha e edukimit dhe ajo sociale në ditët e sotme, do të sjellin në fokus zgjidhjet më të përshtatshme për tu aplikuar në çdo rast.
Më tej, Dekani i Fakultetit të Edukimit në Universitetin “Luigj Gurakuqi” në Shkodër, Assoc. Prof. Dr. Fatmir Vadohej, shprehu kënaqësinë e të qenit institucion bashkëpunues në një platformë të tillë të diskutimit të problematike dhe qasjeve të reja që përballet fusha e edukimit në shekullin aktual. Gjithashtu ai shprehu gatishmërinë e zgjerimit të mëtejshëm të bashkëpunimit ndërinstitucional në organizime të tjera të ngjashme.
Ndërsa Kryetari i Konferencës, Dr. Adem Balaban, pasi falenderoi të pranishmit për pjesëmarrjen e tyre në aktivitet, theksoi rëndësinë e trajtimit të qasjeve të reja në fushën e edukimit dhe atë të shkencave sociale në tërësi. Sipas tij, këto dy fusha kërkojnë punë të vazhdueshme në aspektin e paisjes me asete të reja, e parë kjo nën zhvillin e vrullshëm shkencoro – edukativ.
Konferenca vazhdoi punimet e saj në sesione të ndryshme. Ndër temat e shumta që u trajtuan nga referuesit pjesëmarrës përmendim: “Rëndësia e përfshirjes së teknologjisë informuese dhe asaj komunikuese në procesin e edukimit”,“Roli i terapisë komunikuese te fëmijët me sindromën Down”,“Dialogu social i shoqërisë Shqiptare gjatë tranzicionit”, “Përmbajtja televizive në edukimin e brezave” etj.
Punimet e konferencës u ndoqën nga dhjetëra studentë të sapodiplomuar por edhe studentë aktual të Departamentit të Shkencave të Edukimit që vazhdojnë studimet në institucionin tonë.