Rektori Dr. Ferdinand Gjana takohet me ambasadorin e Austrisë në Tiranë
Rektori i Universitetit “Hëna e Plotë” ( Bedër), Dr. Ferdinand Gjana zhvilloi një vizitë në ambasadën e Austrisë në Tiranë. Dr. Gjana u prit në këtë vizitë nga ambasadori i Austrisë, i akredituar në Tiranë, z. Florian Raunig. Gjatë takimit, rektori i prezantoi ambasadorit austriak një panoramë të zgjeruar të Universitetit “Hëna e Plotë” ( Bedër), që nga momenti i themelimit dhe deri më sot.
Në takim Dr. Gjana u ndal në misionin e universitetit, rëndësinë që ky institucion i jep kërkimit shkencor dhe kontributit në shoqëri. Rektori Gjana u ndal gjithashtu në strategjinë e Universitetit “Hëna e Plotë” (Bedër) për të qenë një institucion me profil ndërkombëtar. Nga ana tjetër, ambasadori Raunig u shpreh i impresionuar nga zhvillimet e deritanishme të universitetit. Ai gjithashtu shprehu mbështetjen e ambasadës për të ndihmuar në vendosjen e urave të bashkëpunimit mes Universitetit “Hëna e Plotë” (Bedër) dhe universiteteve austriake.