Rektori i Universitetit “Hëna e Plotë” (Bedër), takim me zëvendëskryeministrin, Niko Peleshi
04 Tetor 2013
Rektori i Universitetit “Hëna e Plotë” (Bedër), Dr. Ferdinand Gjana u prit sot në një takim nga zëvendëskryeministri, z. Niko Peleshi. Gjatë takimit Dr. Gjana e uroi z. Peleshi me rastin e emërimit të tij në postin e zëvendëskryeministrit, duke shrehur bindjen se përvoja e suksesshme në krye të Bashkisë së Korçës do të reflektohet edhe gjatë detyrës së re si numri dy i qeverisë shqiptare. Rektori Gjana e njohu z. Peleshi me ecurinë e deritanishme të universitetit, misionin e tij dhe rëndësinë që ky institucion i kushton rritjes së cilësisë në fushën e arsimit universitar.
Ai u shpreh se universiteti, ndonëse në vitin e tretë të aktivitetit, ka arritur tashmë të konsolidojë një profil të qartë si një institucion ndërkombëtar, që ka afruar studentë nga 17 shtete të ndryshme dhe një staf cilësor që përbëhet nga pedagogë të huaj dhe shqiptarë. Dr. Gjana vuri theksin në arritjet e universitetit edhe në fushën e kërkimit shkencor, duke e njohur zëvendëskryeministrin me organizimin e një sërë konferencash shkencore, si edhe aktivitete e botime në këtë fushë, të cilat janë një tregues i vizionit që ka institucioni që ai drejton në këtë fushë.
Nga ana e tij, zëvendëskryeministri Niko Peleshi vlerësoi arritjet e Universitetit “Hëna e Plotë” (Bedër) dhe theksoi se qeveria shqiptare ka si synim të realizojë reforma në fushën e arsimit, me qëllim rritjen e cilësisë në këtë fushë. Gjatë takimit, rektori Gjana shoqërohej edhe nga kancelari i Komunitetit Mysliman Shqiptar, z. Ali Zaimi.