Sami Yusuf: Shqipëria një shembull i mrekullueshëm i tolerancës.
01 Tetor 2012
Artisti i madh dhe këngëtari i famshëm Sami Yusuf, i cili vjen për herë të parë në Tiranë, i ftuar për të marrë pjesë në programin kushtuar Profetit Muhamed a.s., ishte sot në Universitetin Hëna e Plotë- BEDËR ku ju përgjigj interesit të medias dhe studentëve. Gjatë konferencës ai ndau me gazetarët dhe studentët disa nga hollësitë më interesante të karrierës së tij. Artisti i njohur vlerësoi traditën shqiptare të tolerancës midis feve duke e konsideruar këtë si një shembull të mrekullueshëm. “Unë mendoj se të gjitha fetë dhe qytetërimet duhet të ndajnë mes tyre mesazhe paqeje dhe të respektojnë njëra- tjetrën. Shqipëria në këtë pikë është një shembull i mrekullueshëm” u shpreh Sami Yusuf.
Ai tregoi se është i kënaqur për punën që kryen në shërbim të së vërtetës së besimit dhe për ta bërë atë të njohur e të prekshëm për njerëzit, në një botë plot konfuzion dhe kur shoqëria e qytetërimi i sotëm kanë humbur shumë nga vlerat e dikurshme.
Më tej, ai iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve dhe studentëve në lidhje me artin, muzikën, si dhe mënyrën e tij të të bërit art. Yusuf tregoi për kënaqësinë që i jep kontakti me njerëz dhe kultura të ndryshme, tek të cilët ai gjen vetveten, ku një fokus të veçantë zë interesi për tradicionalen, e cila në perceptimin e tij kohët e fundit e ka humbur shkëlqimin e saj.
Pyetjes në lidhje me përshtypjet e para për Shqipërinë dhe shqiptarët, ai iu përgjigj: “Është një vend jashtëzakonisht i bukur, me njerëz të mirë që reflektojnë mirësi e paqe. Ajo që më gëzon më tepër është fakti se te ju ka mbetur një ndjenjë e thellë shpirtërore që nuk ka vdekur, pavarësisht periudhës komuniste, dhe kjo sipas meje buron nga tradita." Në fund të bisedës, këngëtari i famshëm pozoi dhe ndau disa autografe për një grup studentësh dhe fansash, të cilit ishin të pranishëm në konferencë.
Më pas këngëtari Yusuf zhvilloi edhe një takim me Rektorin e Universitetit “Hëna e Plotë” (BEDËR) Dr. Ferdinand Gjana. Sami Yusuf gjithashtu vizitoi edhe ekspozitën mbi kaligrafinë dhe artit të zbukurimit “EBRU” të autorit Mehmet Memiş, të hapur dy ditë më parë në këtë universitet në kuadër të ditëve të kulturës dhe artit islam.