Seminari “ADN-ja ligjore, një provë e pakundërshtueshme”
Departamenti i Drejtësisë organizoi seminarin e parë për vitin akademik 2012-2013, të me temë “ADN ja ligjore, një provë e pakundërshtueshme”. Referues në këtë seminar ishte eksperti Kriminalist Elson Kanavace dhe në të morën pjesë studentët e vitit të parë dhe të dytë të departamentit të Drejtësisë. Seminari synonte të pajiste studentët e departamentit të Drejtësisë me informacion lidhur me fushën e Kriminalistikës, duke u bazuar në analizimin e provave të nxjerra nga AND-ja.
Në seminar u diskutua për rëndësinë që ka studimi i ADN-së në procesin e të provuarit të fajësisë së autorit të veprës penale dhe përdorimi i metodave teknike dhe laboratorike në luftën kundër kriminalitetit. Specialisti i Laboratorit Qendror të Kriminalistikës u përcolli studentëve informacion mbi karakteristikat e ADN dhe faktin që asnjë qënie njerëzore nuk ka të njëjtin material gjenetik, gjë që e bën një provë të parrëzueshme në identifikimin e fajtorit në procesin gjyqësor. Shpjegim i hollësishëm u dha mbi metodat e mbledhjes, dokumentimit, ruajtjes të provave të acidit deoksiribonukleik (ADN), në mënyrë që ato të plotësojnë kushtet ligjore dhe shkencore për t’u pranuar në një proces hetimor dhe gjyqësor.
Në përfundim të seminarit u pasqyruan fakte mbi rolin që ka luajtur ADN-ja në çështje të zgjidhura nga drejtësia shqiptare përgjatë viteve të fundit. Studentët u interesuan mbi temën duke i drejtuar pyetje z. Kanavace mbi funksionimin e Laboratorit Qendror të Kriminalistikës.