Sesion Informues mbi programet e Bashkimit Europian
Zyra koordinuese e projekteve tempus në Shqipëri zhvilloi një seminar informues në Universitetin Hëna e Plotë (Bedër) mbi projektet dhe programet e studimit të ofruara nga Bashkimi Europian.
Koordinatorja e kësaj zyre, Znj. Edit Dibra, prezantoi programin Erasmus Mundus, ku shpjegoi se si studentët mund të bëheshin pjesë e këtij programi, duke aplikuar si për periudhë të plotë studimi ashtu dhe për shkëmbime afatshkurtra në nivele të ndryshme duke filluar nga ai bachelor për të përfunduar tek niveli post doktoratë.
Më pas, znj. Dibra prezantoi në detaje “Thirrjen e Gjashtë” tek programi Tempus dhe bëri publike prioritetet kombëtare për vitin 2013. Ajo sqaroi se këtë vit afati i fundit për aplikim do jetë data 26 Mars 2013, ndërsa buxheti do të dyfishohet nga 1.9 në 3.8 milion Euro. Znj. Edit Dibra nënvizoi se qëllimi i Programit Tempus është të modernizojë sistemin e arsimit të lartë dhe të krijojë një zonë bashkëpunimi në shtetet që rrethojnë BE-në. Gjatë prezantimit u shpjegua mënyra e aplikimit, gjetja e partnerëve, kriteret përzgjedhëse, afatet kohore si dhe çështje të tjera të lidhura me këtë proces.
Në mbyllje të sesionit informues, Znj. Edit Dibra, këshilloi dhe inkurajoi stafin akademik të Universitetit Hëna e Plotë (Bedër) për të aplikuar për projekte Tempus, duke siguruar asistencën e Zyrës Tempus gjatë procesit të aplikimit.