Sfida e profesionit të avokatit në SHBA
Z. Alush Kola, avokat shqiptaro-amerikan, ishte i ftuari i radhës i ciklit të aktiviteteve “Brownbag Seminars”, organizuar nga Departamenti i Drejtësisë në KU Bedër. Zoti Alushi, drejtor i zyrës ligjore “Al Kola”, pati një bashkëbisedim me studentët e drejtësisë rreth temës “Sfida e profesionit të avokatit në SHBA”.
“Profesioni i avokatit është profesion i nderuar dhe shumë i rëndësishëm për njerëzit, pasi avokati u jep shpresë të gjithë klientëve, të cilët drejtohen në momentet që përballen me konflikte apo shkelje të ndryshme”, theksoi z. Kola.
Ndër të tjera, ai shpjegoi eksperiencën si avokat, duke dhënë shembuj konkretë të çështjeve që ka mbrojtur përpara gjykatave amerikane duke i njohur studentët në praktikë edhe me diferencat që ekzistojnë mes sistemeve “Civil Law”, ku vendi ynë bën pjesë, dhe “Common Law”. Z. Kola u përcolli studentëve këshilla dhe mesazhe të rëndësishme me qëllim që ata t’i kenë parasysh në të ardhmen kur të ushtrojnë profesionin e avokatit apo edhe profesione të tjera.
Bashkëbisedimi me studentët vazhdoi më tej në formën e pyetje–përgjigjeve, ku z. Alush Kola analizoi fushat në të cilat studentët treguan interes.