Studentët e drejtësisë, vizitë në Prokurorinë e Krimeve të Rënda
Në kuadër të javës së drejtësisë, studentët e departamenti të drejtësisë në Universitetin“Hëna e Plotë”( Bedër) zhvilluan një vizitë në Prokurorinë e Krimeve të Rënda.
Studentët u pritën nga drejtuesit e Prokurorisë së Krimeve të Rënda z. Kostaq Beluli dhe z. Henrik Ligori, të cilët zhvilluan një bashkëbisedim, në lidhje me organizimin dhe rolin e prokurorisë në shtetin e së drejtës. Gjatë bashkëbisedimit u trajtuan tema të ndryshme, si organizimi dhe funksionimi i prokurorisë, çështjet që janë në kompetencë të saj, bashkëpunimi me shtetet e tjera, sidomos me shtetin italian, për parandalimin e kriminalitetit, roli i shtetit në mbrojtjen e prokurorëve etj.
Rëndësi e veçantë iu kushtua metodave të reja speciale të hetimit, siç janë dorëzimi i kontrolluar, blerja e simuluar, si edhe roli i agjentit të infiltruar. Drejtuesit pohuan se analizat vjetore paraqesin një rritje të ndjeshme të përhapjes së krimit, të trafikimit të lëndëve narkotike, si edhe pozicionimin e tyre hierarkik në rangun e krimeve që janë kërcënuese për shoqërinë.