Studentët e programit të Drejtësisë përfaqësojnë Shqipërinë në Nuremberg
Studentët e programit të Drejtësisë në Kolegjin Universitar Bedër përfaqësojnë Shqipërinë për herë të parë në Konkursin e së Drejtës Ndërkombëtare Penale, i cili zhvillohet në Nuremberg të Gjermanisë.
Konkursi organizohet nga Akademia e Parimeve Ndërkombëtare të Nurembergut dhe Njësia Kërkimore e së Drejtës Ndërkombëtare Penale në Nuremberg. Studentët Erisa Datja, Inisa Sota, Ledina Shabani dhe Thoma Kristo, së bashku me lektoren Ermira Bushi, përbëjnë ekipin përfaqësues të KU Bedër.
Konkursi i simulimit gjyqësor të Gjykatës Ndërkombëtare Penale do të zhvillohet në datat 24-27 korrik 2019 në Nuremberg, Gjermani. Ky organizim 4-ditor konsiston në një program intensiv arsimor dhe social, duke mbledhur së bashku studentë nga 60 universitete të ndryshme nga e gjithë bota, për të zhvilluar aftësitë e tyre si avokatë të ardhshëm ndërkombëtarë.
Konkursi përfshin bashkëpunimin me gjyqtarë nga Gjykata Ndërkombëtare, profesorë të së drejtës ndërkombëtare (penale) dhe profesionistë të tjerë ligjorë. Ky rrjet e bën kompeticionin një simulim real të seancave që zhvillohen në Gjykatën Ndërkombëtare Penale. Çështjet e konkursit i drejtohen çështjeve themelore të së Drejtës Penale Ndërkombëtare, si substanciale ashtu dhe procedurale.
Ky është i disati konkurs ndërkombëtar që studentët e Kolegjit Universitar Bedër përfaqësojnë Shqipërinë. Për vite me radhë ata janë përfaqësues të vendit tonë në Konkursin Ndërkombëtar të Jessup, si dhe në atë të Hagës.
I urojmë suksese studentëve tanë!