Studentët e teologjisë, bashkëbisedim me Kryetarin e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë.
Studentët e Departamentit të Shkencave Islame në Universitetin Hëna e Plotë- BEDËR zhvilluan një panel bashkëbisedimi me Kryetarin e KMSH-së, H. Selim Muça. Takimi u realizua gjatë vizitës që kreu i KMSH-së, zhvilloi në Universitetin Hëna e Plotë- BEDËR. Gjatë bashkëbisedimit, kreu i KMSH-së i përgëzoi studentët për zgjedhjen që kanë bërë, si pjesë e brezit të parë që po arsimohen në një universitet shqiptar në fushën e shkencave islame. Ai u shpreh se zgjedhja e tyre për të studiuar në këtë fushë tregon përkushtimin që ata kanë për t’i shërbyer në të ardhmen shoqërisë shqiptare dhe në veçanti besimtarëve myslimanë jo vetëm në Shqipëri, por edhe në trevat shqiptare në rajon e më gjerë. H. Selim Muça theksoi se baza e dijes që këta studentë po marrin në auditorët e Universitetit Hëna e Plotë- BEDËR, mbështet në parimin e vlerave universale dhe se ata po edukohen me një fryme tolerance dhe dialogu. Ndërkohë, gjatë takimit u vu në dukje edhe rëndësia që ka Departamenti i Shkencave Islame si një vatër edukimi jo vetëm për të rinjtë shqiptarë brenda kufijve shtetërorë, por edhe për djem e vajza nga Kosova, Maqedonia, Mal i Zi, Lugina e Preshevës etj. Nga ana e tyre studentët u shprehën të interesuar për misionin dhe aktivitetin e Komunitetit Mysliman Shqiptar, duke i drejtuar një sërë pyetjesh kreut të këtij institucioni.