Studentët e Universitetit Hëna e Plotë- BEDËR, ndihma për zonat e izoluara.
01 Tetor 2012
Një përfaqësi e studentëve të Universiteti Hëna e Plotë- BEDËR, së bashku me kancelarin e universitetit Fatih Bagci zhvilluan sot një vizitë në Komunitetin Mysliman Shqiptar, për t’i dorëzuar kreut të këtij institucioni H. Selim Muça, një sasi ndihmash për banorët e zonave të izoluara nga dëbora. Studentët, në bashkëpunim me stafin akademik dhe administrativ të universitetit, organizuan mbledhjen e një sasie ndihmash për këta banorë që gjenden në vështirësi, si rezultat i kushteve të këqija të motit, duke iu bashkuar kështu nismës së Komunitetit Mysliman Shqiptar.
Gjatë takimit me përfaqësinë e studentëve, kreu i KMSH-së, H. Selim Muça vlerësoi kontributin, duke theksuar se solidariteti i studentëve, që përfaqësojnë brezin e ri të shoqërisë shqiptare, është një shenjë pozitive që duhet vlerësuar. “ Mendoj se është një veprim që duhet vlerësuar, pasi ndihma për vëllezërit dhe motrat tona që ndodhen në kushte të vështira, për shkak të dëborës që ka izoluar këto zona, merr një kuptim më të madh kur vjen nga të rinjtë”, u shpreh Z. Muça.
Pasi falenderoi z. Muça për nismën e Komunitetit Mysliman, kancelari z. Bagci u shpreh se studentët dhe stafi i Universitetit Hëna e Plotë- BEDËR ndihmën ndaj njerëzve në nevojë e shohin si një vlerë të rëndësishme që ndikon edhe në formimin akademik të të rinjve.