Studentët me shtetësi të huaj, i urojnë Kryeministrit Sali Berisha 100- vjetorin e Pavarësisë.
Një grup studentësh me shtetësi të huaj që studiojnë në Universitetin “Hëna e Plotë” -BEDËR zhvilluan një takim me Kryeministrin e Shqipërisë z. Sali Berisha. Grupi i studentëve që shoqërohej nga drejtuesit më të lartë të universitetit, kishte në përbërje studentë nga 14 shtete të ndryshme, si Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Lugina e Preshevës, Mal i Zi, Bosnjë dhe Hercegovina, Moldavia, Gjermania, Turqia, Turkmenistani, Taxhikistan, Indonezia, Mongolia dhe Rusia. Ata i uruan Kryeministrit Berisha, 100- vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë dhe ndanë me të përshtypjet për Shqipërinë dhe Tiranën.
Kryeministri Sali Berisha gjatë fjalës së tij u shpreh se vizita e studentëve të Universitetit Hëna e Plotë- BEDËR, me një përbërje kaq të larmishme kombësish dhe kulturash, është një dhuratë e veçantë në këtë përvjetor të rëndësishëm për vendin. Ai u tha studentëve se një nga karakteristikat më të veçanta të shqiptarëve është mikpritja. “Jam i gëzuar të dëgjoj se ju ka pëlqyer Shqipëria dhe universiteti ku studioni. Ajo që mund të dalloni te shqiptarët është mikpritja. Mes shqiptarëve ka një shprehje që thotë “shtëpia është e Zotit dhe e mikut”. Nëse vizitoni Shqipërinë do të vini re zakone shumë të bukura që nxjerrin në pah rëndësinë që shqiptarët i kushtojnë mikut”. Ai u ndal gjithashtu edhe në vlerën e tolerancës dhe bashkëjetesës fetare që mbart shoqëria shqiptare, duke e konsideruar këtë si një thesar të çmuar për këtë komb.
Ndërkohë Rektori i universitetit, Dr. Ferdinand Gjana, pasi falënderoi Kryeministrin për takimin, u shpreh se institucioni që ai drejton, ka krijuar tashmë një profil ndërkombëtar, duke afruar studentë me nivel të lartë nga shumë vende të ndryshme të botës. Në fund të takimit studentët i dhuruan kreut të qeverisë, nga një dhuratë simbolike që përfaqësonte kulturën e shteteve të tyre.