Studentët në ndihmë të familjeve të pastreha
16 Tetor 2013
Në ditën që simbolizon sakrificën dhe vëllazërinë mes njerëzve, studentët e Universitetit “Hëna e Plotë” ( Bedër) ishin pranë familjeve të pastreha në zonën e ish-Dekorit dhe në Shkozë, për t’ua lehtësuar sadopak gjendjen e vështirë në të cilën ndodhen. Në kuadër të bashkëpunimit mes Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë dhe Universitetit “Hëna e Plotë” ( Bedër) për të ndihmuar shtresat në nevojë të shoqërisë, është vënë në jetë projekti i parë që konsistonte në mbledhjen dhe dërgimin e pakove të ndihmës për familjet e komunitetit rom që jetojnë në kushte tepër të vështira në një nga zonat e Tiranës.
Studentët e universitetit, dje me rastin e ditës së Kurban Bajramit, vizituan këto familje, duke ju dhënë pakot e ndihmave, të cilat përmbanin , veshmbathje dhe ushqime bazë. Ky projekt që vjen si pjesë e filozofisë së universitetit për përgjegjësinë sociale, është pjesë e kuadri më të gjërë të bashkëpunimit me Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë. Hapat e para të këtij bashkëpunimi u hodhën gjatë vizitës që Ministri Erion Veliaj zhvilloi në Universitetin “Hëna e Plotë” ( Bedër) me rastin e çeljes së vitit të ri akademik.