“Studenti dhe profesioni”, Studentët e Komunikimit takojnë diplomatin shqiptar të USAID-it
11 Tetor 2012
Departamenti i Shkencave të Komunikimit zhvilloi sot në sallën e konferencave takimin e parë të ciklit “Studenti dhe profesioni”, me të ftuar diplomatin z.Gëzim Hysenagolli, i cili është i angazhuar me USAID-in në Afrikën e Jugut.
Gjatë diskutimeve me studentët e Shkencave të Komunikimit, Hysenagolli shpjegoi angazhimin e Kongresit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të dhënë ndihmën e popullit amerikan për zhvillimin e qendrueshëm të shoqërive të tjera. Sipas tij, ajo çka mundëson programi i USAID-it lidhet me fusha të ndryshme, si shëndetësia, arsimi, të drejtat e njeriut etj.
Gjatë fjalës së tij, Hysenagolli theksoi faktin se ndihma synon që t’i mësojë shoqëritë e vendeve ku është angazhuar USAID që të funksionojnë duke mos patur në të ardhmen më nevojë për mbështjetjen e programit. Në lidhje me këtë, ai përdori edhe një fabul. “Më shumë se t’i japim nga një peshk çdo ditë, ne përpiqemi që segmenteve të shoqërisë, në të cilat angazhohemi, t’u mësojmë se si të peshkojnë. Lidhur me këtë, më lejoni të theksoj se në vendin ku unë shërbej, në shtetin e Malauit, një numër i konsiderueshëm studentësh shkojnë për të studiuar në SHBA dhe më pas rikthehen aty për të ofruar kontributin e tyre”.
Takimi u zhvillua në formë bashkëbisedimi, ku studentët u njohën me filozofinë me të cilën ndihma e SHBA-ve aplikohet në terren, përzgjedhjen e targetit se ku do të ofrohet mbështetja, transparencën në përdorimin e fondeve etj. Gëzim Hysenagolli është diplomat me kombësi shqiptare dhe shtetësi amerikane, i angazhuar në kuadër të USAID-it në Afrikë të Jugut dhe është përgjegjës për shtetin e Malau-it.