“Studenti dhe profesoni”, Alfred Peza: Kur specialisti s’qesh me lajmin, gazetari ka punuar mirë
Cikli i leksioneve të hapura, “Studenti dhe Profesioni” i organizuar nga Departamenti i Shkencave të Komunikimit vijoi këtë javë me të ftuar gazetarin e njohur, Drejtorin e Informacionit të Vizion Plus Alfred Peza. Studentët u njohën nga z.Peza me zhvillimet në tregun e medias në Shqipëri, problematikat si edhe sfidat që mbart ai.
Studentët e pyetën atë për marrëdhënien media-politikë, si edhe përfitimet që kanë ato nga njëra-tjetra. Z. Peza u shpjegoi studentëve, se pavarësisht politizimit dhe lidhjeve të mediave me politikën, informacioni arrin të dalë në sipërfaqe duke iu servirur publikut sado i ndjeshëm të jetë ai për një grupim të caktuar politik. Kjo gjë sipas tij, e bën median që të jetë e lirë, por jo e pavaruar. Në linjë me këtë të fundit, ai shpjegoi edhe kriteret që përdoren sipas tij për shpërndarjen e reklamës qeveritare, ku mediat që sulmojnë mazhorancën marrin pak ose aspak, ndërsa pjesën më të madhe e përfitojnë ato që gjënden pranë ekzekutivit.
Në përfundim, z.Peza theksoi para studentëve të komunikimit rëndësinë që mbart për një gazetar njohja shumë e mirë e fushës për të cilën raporton. “Kur specialisti s’qesh me lajmin, gazetari ka punuar mirë, prandaj njohja dhe përdorimi i mirë i termave përbën një element të rëndësishëm duke marrë parasysh faktin se i drejtohen një publiku të gjerë” – tha ai.