Takim i Dekanit të Studentëve me një grup studentësh me shtetësi të huaj
Ditën e martë, më datë 13 nëntor, u mbajt takimi i parë, ndërmjet studentëve me shtetësi të huaj, që studiojnë në Universitetin “Hëna e Plotë” (BEDËR), dhe zyrës së dekanit të studentëve. Në këtë mbledhje ishin të pranishëm studentë nga të paktën 11 vende të ndryshme të botës, të tilla si: Gjermani, Indonezi, Turkmenistan, Moldavi, Bosnjë-Hercegovinë, Serbi, Mongoli, Mali i Zi, Lugina e Preshevës, Maqedoni dhe Kosovë.
Takimi synonte të vendoste kontaktet e komunikimit mes studentëve të huaj dhe dekanit të studentëve, për të lehtësuar procesin e orientimit dhe për të prezantuar mbështetjen e stafit për këtë kategori studentësh. Gjatë fjalës së tij, Dekani, Dr. Atakan Derelioglu u shpreh se universiteti ofron të gjitha kushtet për një edukim cilësor, si dhe u kujtoi studentëve se universiteti është i gatshëm të reagojë në çdo moment për çdo problem që mund të hasin gjatë vitit akademik. Nga ana e tyre studentët bënë prezantimin e vendit nga vinin, si dhe u shprehën të kënaqur që kishin gjetur një ambient të ngrohtë familjar dhe vlerësuan me nota maksimale kushtet e universitetit.