Të dashur studentë, pedagogë, prindër dhe të ftuar
Ju përshëndes përzemërsisht dhe shpreh kënaqësinë time në këtë ditë të shënuar për ju dhe për ne, për studentët e rinj dhe studentët aktualë, për stafin e universitetit dhe prindërit tuaj dhe për të ftuarit dhe të gjithë pjesëmarrësit e tjerë në këtë përurim të fillimit të vitit të ri akademik.
Për ju studentët e rinj, kjo ditë është e veçantë dhe e mbushur plot emocione, sepse sot ju ndiheni më të rritur, sepse sot ju fitoni një status të ri, statusin e studentit, sepse sot ju krijoni marrëdhënie të reja me shokë të rinj dhe me pedagogë të rinj, sepse sot jeni më afër ëndrrës suaj.
Universiteti “Hëna e Plotë” BEDËR, hap sot dyert e shkollimit për një etapë tjetër të rëndësishme, atë që përcakton rrugën e jetës suaj, të perspektivës së karrierës, sfidave personale dhe të integrimit në jetën shoqërore.
Pasi kaluat një periudhë trevjeçare në shkollën e mesme dhe një fazë plot stres gjatë sezonit të provimeve të maturës, ju sot bëheni anëtarë të familjes sonë të madhe, është familja ku ju do të integroheni në këto tre vite akademike dhe ndoshta, edhe më shumë, për ata që do të vazhdojnë studimet e mëtejshme, për thellimin e dijeve, të mendimit intelektual dhe atij shkencor.
Programet mësimore që ju do të ndiqni, do t’ju përgatisin si specialistë në disiplinat akademike që ofron universiteti ynë, dhe me të gjitha vlerat pozitive për një individ, që do të përballet me sfidat që shtron përpara shoqëria jonë dhe konkurrenca e ashpër e tregut të punës. Profilin tuaj do ta plotësojë edhe mësimi i të paktën dy gjuhëve të huaja. Ato do të jenë një nga armët më të mira që ju do të keni me vete. Por, sigurisht, është puna dhe pasioni juaj që ju do t’u kushtoni gjuhëve të huaja, për të arritur në nivele konkurruese, për t’u integruar jo vetëm në shoqërinë shqiptare, por edhe përtej kufijve të Shqipërisë.
Në Universitetin BEDËR ju do të gjeni një mjedis shumë miqësor, një frymë bashkëpunimi e përkushtimi maksimal të stafit akademik. Në rrugën tuaj të dijes ju do të keni studentë që vijnë nga 15 shtete të ndryshme.
Kjo do t’ju japë mundësi të njihni vende dhe kultura të ndryshme, njohja e ndërsjellë do t’ju krijojë mundësinë të mësoni për vendin e njëri-tjetrit, për kulturën dhe gjuhën e njëri-tjetrit dhe kështu do të bëni miq të rinj nga e gjithë bota.
Të dashur studentë,
Universiteti BEDËR ju jep mundësinë që, duke filluar nga viti i dytë i studimeve të larta, krahas programit themelor, që studioni, të ndiqni edhe një program të dytë, gjë e cila ju mundëson të jeni ekspertë të dy fushave, duke u pajisur me dy diploma për secilin profesion.
Për një grup tjetër studentësh, që duan të kenë njohuri të përgjithshme rreth një profesionit të dytë, në Universitetin BEDËR do të kenë mundësi të ndjekin programe minore në atë fushë. Me plotësimin e krediteve të nevojshme, ata do të kenë një çertifikatë ose një diplomë minore për atë profesion.
Të dashur studentë,
Në Universitetin BEDËR ekziston sistemi i profesorit këshillues. Me anë të këtij shërbimi studentët do të asistohen nga një prej pedagogëve të departamentit, i cili do t’ju udhëzojë përgjatë gjithë rrugës së studimeve në universitet. Krahas këtij këshilltari, pranë departamenteve janë edhe përgjegjësit e planifikimit të karrierës, të cilët do t’ju asistojnë vazhdimisht për të qenë të integruar në profesionin e ardhshëm. Trajnimet e ndryshme në kohë të caktuara të vitit do të jenë një tjetër përparësi e rëndësishme e departamenteve, krahas procesit të mësimdhënies.
Duke shprehur bindjen e thellë dhe besimin e plotë se ju keni bërë zgjedhjen e duhur për të vazhduar studimet në Universitetin BEDËR, ju uroj një fillim të mbarë të vitit dhe realizim të ëndrrës suaj.
Kjo ditë është e gëzueshme edhe për studentët e tjerë, për ata që i kanë kaluar një pjesë të emocioneve dhe të vështirësive. Ata janë më të motivuar e më të vetëdijshëm për rrugën që kanë nisur e kanë objektiva më të qarta se ku duhet të arrijnë. Këta janë studentët e vitit të dytë. Jam plotësisht i bindur që ju e nisni vitin e dytë akademik me dëshirën dhe pasionin për të përmirësuar atë që arritët në vitin e parë, për të thelluar më tej njohuritë e marra, për të guxuar më shumë në nismat tuaja personale dhe realizimin e ambicieve tuaja.
Edhe stafi i universitetit vjen sot me një vit më shumë në përvojën e tyre akademike dhe administrative. Janë pikërisht personeli akademik, administrues, menaxhues dhe drejtues, si dhe një varg faktorësh të tjerë që sigurojnë cilësinë e një universiteti dhe besueshmërinë e tij në shoqëri dhe që e rendit atë ndër universitetet elitare si brenda ashtu edhe jashtë Shqipërisë.
Me këtë rast uroj stafin akademik t’i përsosë më tej standardet e mësimdhënies dhe të të nxënit, sepse në çdo punë ka gjithmonë vend për përsosje të mëtejshme, me synimin që të sigurojmë dhe të garantojmë gjithnjë e më shumë cilësi sa më të lartë në auditoret tona dhe universiteti ynë të bëhet sa më bashkëkohor.
E veçanta e këtij viti është 100- vjetori i shpalljes së Pavarësisë. Le të jetë kjo ngjarje e madhe historike, në prag të vitit të ri shkollor, një motiv më shumë, për të gjithë ne, pedagogë dhe studentë, që të realizojmë me sukses misionin dhe objektivat tona në të gjitha sfidat që koha shpalos para nesh.
Duke ju thënë mirë se erdhët në Universitetin BEDËR, uroj edhe një herë për të gjithë: Qoftë një vit i mbarë dhe i suksesshëm akademik.