Trajnimi i parë në kuadër të projektit “Edukimi për Median dhe Informacionin për Mësuesit e Ardhshëm”.
06 Mars 2023
Në kuadër të memorandumit të mirëkuptimit të nënshkruar mes Kolegjit Universitar Bedër dhe Institutit Shqiptar të Medias u zhvillua trajnimi i pare i projektit “Edukimi për Median dhe Informacionin për Mësuesit e Ardhshëm”.
Erlis Çela, profesor i gazetarisë dhe komunikimit, u ndal te koncepti i edukimit për median dhe informacionin dhe përse studentët duhen edukuar në këtë aspekt. Gjatë trajnimit ai u ndal te çrregullimet informative dhe mënyrat e ndryshme se si t’i njohim dhe si t’i shmangim ato, por edhe në ndikimin që manipulimi i informacionit ka në shoqëri.
Trajnimi vijoi me Emirjon Senja, redaktor dhe profesor i gazetarisë, i cili preku anën më praktike të identifikimit të çrregullimeve informative në rrjet. Ai u përqendrua te roli i rrjeteve sociale në prodhimin dhe shpërndarjen e informacionit, por edhe të dezinformimit. Duke sjellë shembuj konkretë të manipulimit të informacionit, ai diskutoi me pedagogët mënyrat dhe mjetet e ndryshme që na vijnë në ndihmë për të identifikuar anomalitë në informacion.
Së bashku me pedagogët e pranishëm, u diskutuan raste të ndryshme të mësimdhënies apo diskutimit në lidhje me edukimin mediatik me studentët, duke nënvizuar që përveç studimit të lëndës, edhe qasja ndaj studentëve në lidhje me këtë temë është po aq e rëndësishme.
Gjithashtu u diskutua edhe për rolin e inteligjencës artificiale, monitorimin e transparencës së faqeve dhe reklamave në Facebook, por edhe fenomene të tilla si trolls-et, bot-et, etj, sidomos në kuadrin e fushatave zgjedhore.
Ky trajnim është pjesë e projektit “Edukimi për Median dhe Informacionin për Mësuesit e Ardhshëm,” të zbatuar nga Instituti Shqiptar i Medias, me mbështetjen financiare të Zyrës së Marrëdhënieve me Publikun të Ambasadës Amerikane në Shqipëri.